Pse është e vështirë të ikë një drejtor policie? Krasniqi jep dy shpjegime
Analisti Afrim Krasniqi, shpjegoi pse është e vështirë për një drejtor policie në vendin tonë që të largohet nga posti. ”Së pari, në aktin e ministrit të Brendshëm nuk ka gjë heroike dhe institucionale. Ndodhi një ngjarje shumë e rëndë dhe titullari më i lartë mban përgjegjësi. Ministri ka qenë një nga njerëzit më pak të përkrahur në PS. Ndërsa, në lidhje me drejtorin e policisë, ai do të duhet të kishte dhënë dorëheqjen pas deklaratave që bëri në Komisionin e Sigurisë. Në elitën e policisë në Shqipëri, drejtori aktual nuk bën pjesë. Elita është mësuar me të majtën dhe të djathtën, e dinë se është ligji dhe janë të kujdesshëm në zbatim të ligjit dhe në raportet publike”, u shpreh Krasniqi në një lidhje direkte me “Ditari”.
Sipas tij, nuk gjejmë periudhë tjetër kohore në mandatin aktual qeverisës që policia dhe politika të ketë nivel më të ulët besimi. ”Të rinjtë që dolën në protesta janë individë që nuk pranojnë “status quo”-në, atë që ofron politika në Shqipëri. Nëse shohim reagimet e këtyre ditëve, në vend që të ketë korrektim të qëndrimeve, dominon retorika e ashpër paraelektorale dhe kjo është shenjë e keqe për Shqipërinë. Kjo ngjarje pati impakt, pasi dha dorëheqjen ministri i Brendshëm. Sido që të shkojë me drejtorin e Policisë së Shtetit, ky është impakti maksimal që mund të prodhojnë të tilla protesta”, shtoi Krasniqi.
Analisti thekson se ”policia, në vend që të kërkojë kriminelët, që janë mbi 180 persona në listën e kërkimit, kontrollon faqet e internetit për të ndaluar njerëz për thirrje në rrjetet sociale. Ky është degradim i shtetit të së drejtës, i konceptit përfaqësues dhe i konceptit të institucioneve të garancisë, që na ishin premtuar nga mazhoranca aktuale, por edhe ajo përpara saj”.