Pse Izraeli pushtoi malin më të lartë të Sirisë vetëm disa orë pas rënies së Assadit?
Izraeli nuk humbi kohë pas rënies së Bashar al-Assad për të bombarduar të gjitha asetet ushtarake siriane që donte t’i mbante larg nga duart e rebelëve – duke goditur rreth 500 objektiva.
Por është kapja e majës më të lartë të Sirisë, mali Hermon, që mund të jetë ndër çmimet më të qëndrueshme – megjithëse zyrtarët kanë këmbëngulur se pushtimi i tij është i përkohshëm.
“Është jashtëzakonisht i rëndësishëm strategjikisht”, shtoi ai.
Bëhet e ditur se maja e malit Hermon shtrihet në Siri, në një zonë tampon që ndau forcat izraelite dhe siriane për pesëdhjetë vjet deri në fundjavën e kaluar, kur trupat izraelite morën kontrollin e saj.
Deri të dielën, vendi ishte patrulluar nga paqeruajtësit e OKB-së, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, urdhëroi të premten ushtrinë të përgatitet për kushtet e vështira të dislokimit dimëror.
“Për shkak të zhvillimeve në Siri, është e një rëndësie të madhe sigurie të mbajmë kontrollin tonë mbi majën e malit Hermon”, tha ai në një deklaratë.
Izraeli pushtoi Lartësitë Golan, një rrafshnaltë strategjike në Sirinë jugperëndimore që i afrohet malit Hermon, në luftën e vitit 1967.
Siria u përpoq të rimarrë territorin në një sulm të befasishëm në vitin 1973, por dështoi dhe Izraeli e aneksoi atë në 1981.
Pushtimi është i paligjshëm sipas ligjit ndërkombëtar, por Shtetet e Bashkuara e njohën pretendimin e Izraelit për Golanin gjatë administratës Trump.
Izraeli ka mbajtur për dekada disa shpate më të ulëta të malit Hermon, madje ka një vendpushim skijimi atje, por maja mbeti në Siri.
“Ne nuk kemi ndërmend të ndërhyjmë në punët e brendshme të Sirisë”, tha kryeministri Benjamin Netanyahu në një video disa ditë pasi Izraeli bombardoi qindra objektiva siriane dhe pushtoi zonën tampon të çmilitarizuar.
“Por ne sigurisht synojmë të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për t’u kujdesur për sigurinë tonë”, shtoi ai.
Maja e malit Hermon është një pasuri e jashtëzakonshme nën kontrollin e Izraelit.
Në 2,814 metra, ajo është më e lartë se çdo pikë në Siri apo Izrael, dhe e dyta pas vetëm një maje në Liban. /Telegrafi/