Pse PS mbetet parti më e madhe dhe më solide se PD
Nga Lindita Kokoli-
Shifrat e votuesve ndër vite si dhe sondazhet e çdo krahu apo edhe ato që quhen të pavarura, japin konkluzionin se PS mbetet parti e pamposhtur nga çdo parti e opozitës apo edhe nga krejt Opozita e bashkuar.
Partia Demokratike dihet se si ka sosur vitet e fundit: në tre copa dhe natyrisht copa më e madhe është ajo e Berishës. Por edhe të bëra bashkë nuk i afrohen PS-së. Edhe me Partinë e Lirisë të Ilir Metës nuk kanë vota për të rrëzuar kryeministrin Rama. As Bashkinë e Tiranës nuk e merr dot Opozita.
PS është një mekanizëm gjigant, jo vetëm elektoral, por edhe në shpirt krijues. Eshtë numër, por edhe fasadë e bukur!
Lobingjet, propoganda, mbajtja në FRONTIN E SE MAJTES të çdo individi apo flukse antiRama; të gjitha këto krijojnë një përceptim, mundet të gabuar, se PS nuk mposhtet. Në fakt nuk është mirë për shoqerinë shqiptare që të mbijetojë vetëm gjiganti PS, sepse çdo arterie demokracie dhe shprese për ndryshim, asfiksohet.
Edi Rama, sado themi se mbetet autokrat dhe i dhunshëm brenda PS-së, përseri ka ditur ti baraspeshojë klanet, grupimet, interesat e individeve me peshë në PS.
Ndërsa në PD, siç thamë, ka çarje fronti. Edhe lëvizjet e fundit te Berishës, ndonëse ishte i detyruar nga pabesitë e njerëzve që u kishte dhënë pushtet, përsëri Berisha nuk bëri zgjerim të PD. E mori, por e ka kruspulluar aq fort sa nuk e rrëzon Edi Ramën. Berisha do te duhej të zgjidhte Arben Imamin si sekretar të përgjithshëm e jo Flamur Nokën. Jo se Flamuri nuk e meriton sepse mbetet demokrat i vendosur. Por edhe për të krijuar një paraqitje se PD nuk është e Veriut! Sepse Saliu tropojan dhe sekretari i përgjithshem kuksian, krijon perceptim se nuk është parti edhe e jugorëve!
Në fakt PD ka mbështetje në Jug, por në politikë nuk luhet vetëm se vendosi vota në Këshillin Kombëtar! Lideri ka vizion me të largët se krejt anëtarësia, ndaj quhet Lider.
Prandaj PD nuk mund të zgjerohet kështu!
Sado Berisha duket se ka ndryshuar tani muajt e fundit, ka kaluar në ekstremin tjetër fundor, dhe ia lë rastësisë emrat në PD. Nga diktator në PD e viteve të para pas vitit 1990, Berisha ka shkuar tepër larg, si një lider që nuk ndërhyn mes gurëve të shahut demokrat. Por kjo nuk krijon zgjerim dhe besim në PD.
Kjo PD ka nevojë, jo vetëm për Saliun, por edhe për grupime e klane te tjera brenda kampit të opozitës.
Nga ana tjetër Rama njeh mjaft mirë PS dhe miklon lobingjet nëpër skutat e PS. Herë ua pret kokën, me pas ua ngjit prapë kokën, por nuk lë asnjë jashtë PS.
Ndaj duket e largët që Opozita të vijë në pushtet.
Zemërimi dhe pakënaqësitë janë kundër qeverisë, por nuk dinë ti menaxhojnë në Opozitë.