Psikologia Treska: Pasojat psikologjike të tërmetit do t’i ndjejmë në shkurt dhe në mars
Presidentja e Urdhrit të Psikologut, Valbona Treska, shprehet se pas goditjeve të tërmetit është normale vala e panikut.
Por, sipas saj, do të jetë muaji shkurt dhe mars ku do të shihen pasojat reale të tërmetit në psikologjinë e personave.
Kështu është shprehur ajo nga studioja e emisionit “Arena” në RTV Ora, duke folur për pasojat post-traumë të tërmetit.
Valbona Treska: Ditët e para të tërmetit ishte më shumë vala e panikut, ndërkohë ne pasojat e tërmetit do t’i ndjejmë në shkurt dhe në mars, atëherë kur ne mund të diagnostifikojmë pasojat e tërmetit nëse flasim për post-traumë. Ishte shumë shpejt në fillim që të kishim problematike të shfaqura reale. Momenti i parë ishte moment paniku.
Treska gjithashtu përmendi se psikologët janë duke punuar në terren me personat e prekur nga tërmeti. Ajo tha se ka persona të cilët nuk futen në banesat e tyre nga frika, edhe pse këto të fundit janë shpallur të sigurta.
Valbona Treska: Këtë periudhë kemi filluar edhe me psikologët që punojnë në terren të diagnostifikojmë personat që kanë pasur probleme në vazhdimësi. Tërmeti i mbrëmshëm është një alarm për të gjithë dhe e riaktivizon të gjithë sistemin tonë dhe është krejt normale. Na u deshën ditë të futemi te rutina jonë e përditshme, pasi edhe rutina është e shëndetshme psikologjikisht për individin. Nëse gjatë kësaj kohe flet për tërmetin dhe ke një goditje, e riaktivizon menjëherë të gjithë sistemin. Ky është reagim normal. Kemi individë që nuk janë rikthyer akoma në banesë, pasi nuk janë të sigurt. Te këta njerëz jemi prezentë si psikologë.