Publikimi i dosjes “Frroku”, Ministria e Brendshme: U identifikuan dëshmitarët

 

Koordinatorja Kombëtare Antitrafik, Zv.Ministrja e Punëve Brendshme, Elona Gjebrea ka ndjekur me shqetësim mënyrën e pasqyrimit në media të detajeve që lidhen me çështjen e dosjes hetimore të shtetasit Mark Frroku në Belgjikë.

Nga monitorimi që i është bërë pasqyrimit të këtij lajmi në mediat audivizive si dhe portale të ndryshme informative rezulton se në disa prej tyre është publikuar i plotë emri i vajzës që është përfshirë në këtë ngjarje.

Koordinatorja Kombëtare Antitrafik kërkon mirëkuptimin e mediave për të ruajtur identitetin e kësaj vajze, si dhe trajtimin e saj si viktimë të trafikimit njerëzor dhe jo me etiketimin e bërë nga ndonjë media si prostitutë.

Konventa e Kombeve të Bashkuara kundër Krimit të Organizuar Ndërkufitar si dhe Konventa e Këshillit të Evropës për Masat kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë përcaktojnë qartë se: “Të dhënat personale të viktimës nuk mund të bëhen publike dhe mundtë ruhen vetëm për qëllime specifike të ligjshme. Ato nuk mund të përdoren në asnjë mënyrë tjetër që lejon identifikimin e tyre”.

Duhet të jetë e qartë se kjo histori nuk ka të bëjë me një “prostitute”, në të vërtetë ajo ka të bëjë me cënimin e të drejtave themelore njerezore të kësaj vajze. Pa pasur parasysh moshën, vendin nga vjen, arsimin ose të kaluarën, ajo grua është pikësëpari viktimë trafikimi.

 

Zbulimi i identitetit të saj mund të përbëjë rrezik për jetën e vajzës së shfrytezuar si punonjëse seksi në kohën e ngjarjes, veçanërisht në një çështje që është në hetim e sipër. Respektimi i këtyre të elementëve do të ndihmonte edhe vetë median për një pasqyrim sa më korrekt dhe etik të ngjarjes në të cilën është përfshirë një viktimë e trafikimit të qënieve njerëzore. 

SHKARKO APP