Punëdhënësit me mbi 125 punonjës do të kenë kuota për punësimin e grupeve të veçanta

Projektligji për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për nxitjen e punësimit”, i nxjerrë për konsultim publik nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, parashikon një sërë masash për rritjen e transparencës në tregun e punës, modernizimin e shërbimeve të punësimit dhe përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian. Një nga risitë kryesore të projektligjit është detyrimi që çdo punëdhënës të shpallë vendet e lira të paguara të punës pranë institucionit përgjegjës për punësimin dhe aftësitë, duke bërë publik edhe intervalin e pagës për çdo pozicion vakant.

Sipas projektligjit, deri në anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, çdo punëdhënës do të ketë detyrimin të punësojë një person nga grupet e veçanta për 125 punonjësit e parë të ndërmarrjes. Për çdo 125 punonjës shtesë, do të kërkohet punësimi i një personi tjetër nga këto kategori. Projektligji përcakton se, në rast se punëdhënësi nuk plotëson kuotën e përcaktuar, ai do të derdhë një kontribut në Fondin Social të Punësimit në masën 50% të pagës minimale në shkallë vendi, për çdo muaj dhe për çdo person që duhej të ishte punësuar sipas ligjit.

Ndryshimet janë pjesë e paketës së reformës së tregut të punës, e cila synon rritjen e përfshirjes në punësim të grupeve të veçanta, forcimin e politikave aktive të tregut të punës dhe përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian. Projektligji përfshin edhe një sërë masash të tjera, si krijimin e Pasaportës Digjitale të Punësimit dhe Aftësive, ngritjen e Observatorit të Informacionit të Tregut të Punës dhe Aftësive, si dhe krijimin e bazës ligjore për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Rrjetin Evropian të Shërbimeve të Punësimit (EURES).

Swiss Digital Desktop Reklama

Konkretisht Pasaporta Digjitale e Punësimit dhe Aftësive, do të jetë një dokument elektronik ku do të regjistrohen të dhëna mbi historikun profesional të individit, që do të përmbajë të dhëna për “marrëdhëniet e punës, periudhat e punësimit, profesionin, kualifikimet dhe përvojën e punës së individit”. Ajo do të administrohet përmes një platforme të integruar me bazat shtetërore të të dhënave. Në të njëjtën kohë, projektligji parashikon krijimin e Observatorit të Informacionit të Tregut të Punës dhe Aftësive. Subjektet që disponojnë të dhëna për tregun e punës do të kenë detyrimin t’i shkëmbejnë ato në mënyrë elektronike përmes një baze të integruar.

Swiss Digital Mobile Reklama

Një pikë tjetër e këtij pr/ligj, është gjithashtu integrimi gradual i Shqipërisë në Rrjetin Europian të Shërbimeve të Punësimit, EURES, i cili lidh shërbimet e punësimit dhe informacionin mbi vendet e lira të punës në tregun europian. Institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë do të veprojë si Zyra Kombëtare Koordinuese e EURES-it. Ndër kompetencat e saj do të jetë transmetimi i vendeve të lira të paguara të punës dhe, me pëlqimin e punëkërkuesit, i aplikimeve dhe profileve të kandidatëve. Pjesa e sistemit që lidhet me ngritjen e strukturës kombëtare do të mund të fillojë pas hyrjes në fuqi të ligjit, ndërsa pjesëmarrja e plotë dhe shkëmbimi i informacionit me rrjetin europian parashikohet nga anëtarësimi i Shqipërisë në BE, ose më herët nëse vendi autorizohet të marrë pjesë në EURES.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?