
Tregu i punës po i plotëson nevojat me shtetas të huaj, të cilët kanë emigruar në Shqipëri.
Shifrat e INSTAT tregojnë se gjatë vitit 2025, afro 32 mijë e 361 shtetas të huaj kërkuan leje qëndrimi në vendin tonë, me një rritje gati dyfish nga viti paraardhës. Më shumë se gjysma kanë si motivacion punësimin.
Ndërmjet tyre ka shumë gra, të cilat i gjen në shërbim, fasoneri, pastrim e të tjera, ku mes tyre ka shumë raste që shfrytëzohen dhe nuk u respektohen të drejtat në punë, duke nisur që nga mohimi i shumës së pagës për të cilën kanë rënë dakord në fillim.
Shoqëria civile është bërë bashkë në mbrojtje të të drejtave në punë të grave të huaja që punojnë në Shqipëri.
Në një takim të organizuar me pjesëmarrjen e Inspektoratit të Punës, Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Agjencisë Kombëtare të Punësimit, u kërkua që të kryhen më shumë inspektime për kontrollin e kushteve të punës, parandalimin e shfrytëzimit në punë, procedurat e punësimit dhe të drejtat e emigrantëve në punë.