Punonjësit e Policisë jashtë shërbimit gjejnë dhe kthejnë çantën me 1000 euro, dokumente dhe celular
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda ka vlerësuar veprimin me integritet të dy punonjësve të policisë, Klejdin Lleshaj (Qarkullimi Rrugor Lezhë) dhe Durim Xhakaj (Qarkullimi Rrugor Shkodër), të cilët mbrëmë rreth orës 22:30, në rrugën e Rinasit, duke u kthyer për në shtëpitë e tyre nga Tirana për në Lezhë e Shkodër, së bashku me familjarët e tyre, gjetën një çantë në rrugë me dokumente, një shumë parash dhe një celular, të një personi që ishte kthyer nga Italia.
Nëpërmjet pasaportës dhe rrjeteve sociale, ata bënë të mundur identifikimin dhe gjetjen e pronarit, si dhe kthimin e çantës me 1000 euro, dokumente dhe celularin 34-vjeçarit nga Kavaja. Proda u ka dërguar punonjësve të Policisë një mesazh falënderimi për veprimin sa qytetar, aq edhe kuptimplotë, që nderon uniformën e Policisë së Shtetit dhe mishëron vlerat e integritetit, humanizmit dhe përgjegjësisë që qëndrojnë në themel të misionit tonë.
Mesazhi i Drejtorit të Përgjithshëm:
Të nderuar kolegë, Ju përgëzoj dhe ju vlerësoj maksimalisht për veprimin tuaj, i cili mbart në vetvete qytetarinë, humanizmin, integritetin dhe ndjenjën e përgjegjësisë ndaj detyrës.
Pavarësisht se ishit civilë, jashtë orarit të shërbimit, me veprimin tuaj treguat integritet dhe dëshmuat edhe njëherë se mijëra djem e vajza, gra dhe burra që shërbejnë në radhët tona nuk janë ashtu siç tentojnë t’i përbaltin, por janë njerëz që sakrifikojnë me ndershmëri për ligjin dhe qytetarin.
Ky veprim rrit besimin e qytetarëve, pa të cilin misioni ynë do të ishte i cunguar.
Mirënjohje për ju kolegë dhe për çdo punonjës të Policisë me integritet që nderon uniformën e Policisë së Shtetit.
KOHA JONË SONDAZH


