Punonjësit e Prefekturës së Tiranës i bashkohen dhurimit vullnetar të gjakut, apel për më shumë solidaritet
Punonjësit e Prefekturës së Qarkut Tiranë iu bashkuan sot një nisme humanitare për dhurimin vullnetar të gjakut, në mbështetje të pacientëve talasemikë dhe personave që vuajnë nga sëmundje të ndryshme të gjakut.
Aktiviteti u zhvillua në kuadër të sensibilizimit për rëndësinë e dhurimit të rregullt të gjakut, duke përcjellë mesazhin se ky gjest i thjeshtë mund të shpëtojë jetë dhe të ndihmojë qindra pacientë që kanë nevojë të vazhdueshme për transfuzione.
Prefekti i Qarkut Tiranë e cilësoi dhurimin e gjakut si një akt të lartë solidariteti dhe humanizmi, duke theksuar se kjo praktikë po shndërrohet gradualisht në një kulturë qytetare që meriton të mbështetet nga të gjithë.
“Dhurimi vullnetar i gjakut po kthehet në një kulturë qytetare. Është një akt solidariteti që shpëton jetë dhe forcon ndërgjegjësimin e komunitetit për rëndësinë e ndihmës ndaj atyre që kanë më shumë nevojë”, u shpreh ai.
Në të njëjtën kohë, prefekti u bëri thirrje institucioneve vendore dhe qendrore në Qarkun e Tiranës që t’i bashkohen kësaj nisme dhe të kontribuojnë për rritjen e rezervave të gjakut në vend.
Nisma u mirëprit nga punonjësit e administratës dhe vjen si pjesë e përpjekjeve për të rritur ndërgjegjësimin publik mbi nevojën e vazhdueshme për dhurues vullnetarë të gjakut, veçanërisht për pacientët talasemikë dhe të sëmurët që kanë nevojë për transfuzione të rregullta.
KOHA JONË SONDAZH

