Qarkullimi i varianteve të reja, Manastirliu: Vaksinohuni sa më parë
Në fjalën e saj në seancën e fundit për këtë legjislaturë në Kuvend, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha se qarkullimi i varianteve të reja është një arsye e fortë për t’u vaksinuar sa më parë. Po ashtu ajo nënvizoi se sërish do të kemi vaksinim të hapur, duke u dhënë mundësinë moshave të reja që duan të vaksinohen.
”Qytetarëve që u jepet mundësia të vaksinohen ta bëjnë sepse do shpëtojnë veten dhe njerëzit e dashur të tyre. Rastet që kemi të shtruara janë qytetarë që nuk e kanë shfrytëzuar mundësinë për tu vaksinuar dhe sot janë nën kujdesin e mjekëve. Delta po qarkullon në 90 vende të botës dhe në disa vende evropiane e të rajonit është një rrezik.
Nuk kemi sinjale që ky variant po qarkullon në vendin tonë por jemi dude monitoruar çdo rast me kujdes. Qarkullimi i varianteve të reja janë arsye e fortë për t’u vaksinuar sa më parë . Situata në javët e fundit ka një incidencë 2 raste për 100 banorë. Jemi ndër vendet me numrin më të ulët të rasteve dhe fataliteteve.
Është një lehtësi për qytetarët, frymëmarrje për turizmin ashtu si në çdo sëmundje të parandalosh është më mirë se sa të kurosh. Ju ftoj të miratojmë këtë akt dhe të gjithë grupmoshat të vaksinohen sa më parë. Do të hapim më tej fashën dhe do të kemi sërish hapje të vaksinimit të të gjithë atyre që janë të interesuar”.