Qëllohet me kallashnikov nga dy vëllezërit, vritet 50-vjeçari në Dibër
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Luzni të Dibrës ku ka mbetur i vrarë një 50-vjeçar.
Sipas asaj që raporton Ora News, viktimë ka mbetur shtetasi Xhetan Konesha.
Ai u qëllua me kallashnikov, ndërsa edhe pse shkoi i gjallë në spital nuk mundi ti mbijetonte plagëve.
Policia ka arrestuar tashmë një prej vëllezërve, Muhamet Mera ndrësa është shpallur në kërkim vëllai tjetër, Altin Mera.
Arsyeja për këtë ngjarje tragjike dyshohet një konflikt për motive të dobëta.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, pas marrjes së informacionit se në fshatin Luzni, Dibër, gjatë një konflikti për motive të dobëta, dy vëllezër kishin plagosur me armë zjarri fqinjin e tyre, menjëherë kanë organizuar punën dhe falë reagimit të shpejtë dhe profesional kanë bërë të mundur kapjen dhe prangosjen e njërit prej autorëve, shtetasin M. M., 30 vjeç, banues në fshatin Luzni, Dibër.
Ndërkohë vijon ndjekja dhe krehja e zonës për kapjen e bashkautorit tjetër të ngjarjes, shtetasit A. M., 42 vjeç, i cili pas ngjarjes është larguar në pyll.
Dy vëllezërit, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë qëlluar me armë zjarri automatik shtetasin Xh. K., 50 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spital.
Shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit automatik me të cilën dyshohet se dy vëllezërit kanë plagosur 50-vjeçarin.