Qendra historike e Vlorës rifiton shkëlqimin

Qendra historike e qytetit bregdetar të Vlorës, një diamant deri dje i mbuluar nga pluhuri i harresës, tashmë ditë pas dite po rifiton shkëlqimin e saj. Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, ka inspektuar ditët e fundit punimet në zonën historike të qytetit. Duke vlerësuar punën në grup të gjithë aktorëve për ndërhyrjes në restaurimin e zonës historike, Leli theksoi se “është një projekt kompleks për arsye të përfshirjes së shumë më tepër objekteve sesa në çdo ndërhyrje tjetër në zonat historike që është realizuar deri tani”. Sipas tij, për realizmin e këtij projekti po punon një skuadër e madhe, si Fondi Amerikan i Zhvillimit, Ministria e Kulturës, Ministria e Infrastrukturës, etj.

”Për ti dhënë një frymë të re biznesit në këtë zonë historike bashkia është në krye të punëve. Po punojmë fort me përfaqësuesin e Fondit Amerikan të Zhvillimit, të cilët kanë zyrën e tyre në Vlorë, si dhe është krijuar ndërmarrja e përbashkët e të gjithë pronarëve dhe administratorëve të bizneseve në këtë territor për ti dhënë frymë të re biznesit. Ajo që duam të sjell më tepër janë artizanët e qytetit dhe piktorët e artistët do të ishte një shembull pozitiv për vazhdimësinë e projekteve të tjera dhe natyrisht për shtrirjen e këtij projekti në një hapësirë më të gjerë”.

Kryebashkiaku Leli inspektoi punimet edhe në shtëpinë e Marigosë, si dhe u ndal në godinën tashmë të restauruar që do të shërbejë si muzeu i hebrenjve në Vlorë. Duke e cilësuar si një projekt ambicioz, Leli tha se “do të jetë një atraksion i fuqishëm turistik”. Në zonën qendrore të Vlorës ka një sërë objektesh të trashëgimisë kulturore, që e shndërrojnë këtë qytet jo vetëm në perlë të bukurisë turistike, por edhe të historisë dhe kulturës. Secili prej tyre paraqet fakte dhe histori interesante që mund të marrin interesin e vizitorëve të shumtë vendas e të huaj. Stili i përdorur në shumë godina krijon njëfarë uniformiteti në zonë por që e dallon lehtësisht nga zonat e tjera të qytetit nga pikëpamja arkitektonike.

SHKARKO APP