Qendra shëndetësore në Ishëm, Manastirliu: Hartohen protokollet për turizmin. Hapim 29 qendrat verore

Tërmeti i 2019, nuk kurseu as qendrat shëndetësore. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka inspektuar punimet në qendrën shëndetësore të Ishmit, në Durrës, e cila po ndërtohet nga e para, pas shkatërrimit nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Kjo qendër u dëmtua rëndë nga tërmeti dhe nuk mund të rehabilitohej, ndaj siç e premtuam, kjo qendër po ndërtohet e re, më e bukur dhe më e fortë, me mbështetjen e partnerëve tanë të qeverisë zvicerane, në kuadër të programit të rindërtimit. Qendra e re do të përfundojë dhe do të jetë funksionale brenda këtij sezoni turistik”, tha Manastirliu.

Duke theksuar se qendra e Ishmit do të shërbejë për 8 mijë banorët e kësaj zone por edhe për turistët, ministrja e Shëndetësisë bëri me dije se 29 qendra shëndetësore verore do të hapen me 15 qershor. “Përgatitemi për hapjen e qendrave shëndetësore verore. Dhe prej datës 15 të këtij muaji do të hapim 29 qendra shëndetësore verore përgjatë gjithë vijës bregdetare por edhe në zonat turistike malore.

Po ashtu ministrja e Shëndetësisë bëri me dije se në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit janë finalizuar protokollet për sezonin turistik dhe apeloi për zbatimin rigoroz të tyre, me qëllim parandalimin e Covid-19.

“Kemi finalizuar me Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit protokollet e reja shëndetësore anti-covid sa i përket sezonit turistik. Dhe në këto protokolle janë përcaktuar të gjitha ato masa antiCovid, të cilat do të vijojnë të mbeten për të gjithë subjektet akomoduese, aktivitetet e biznesit, të bareve, restoranteve. Nuk do të ketë asnjë tolerancë nga Inspektoriati Shëndetësor dhe inspektoriatet e tjera të Task-Forcës, me synim për të kufizuar përhapjen e Covid-19″.

Duke theksuar se jemi në një situatë të mirë epidemiologjike, Ministrja e Shëndetësisë u ka bërë apel sërish qytetarëve të mos e ulin vigjilencën dhe vijojnë të respektojnë rregullat anti-covid.

SHKARKO APP