Qëndresa Qytetare: Ministrat e Ramës të kthejnë mbrapsht rrogën e ditëve të fushatës

Në fushatë janë të gjithë, por Qëndresa Qytetare ka monitoruar aktivitetin publik të tre ministrave të qeverisë ”Rama 2”, ku rezulton se nga data 30 mars deri në 13 prill, ministrat kanë qënë në krye të fushatës në zonat zgjedhore ku kandidojnë dhe jo në krye të detyrës nga e hëna në të premte, punë për të cilën paguhen nga taksat e qytetarëve.

Sot po i dërgojmë tre kërkesa ministrave Blendi Klosi, Anila Denaj dhe Evis Kushi me anën e të cilave ju kërkojmë të kthejnë mbrapsht rrogën të cilën kanë marrë përgjatë ditëve të cilat nuk janë paraqitur në detyrë dhe të kthehen menjëherë në detyrën publike. ”Asnjë premtim për të përmirësuar shërbimet ndaj qytetarëve në fushatë nuk ka vlerë kur ti e ke këtë mundësi aktualisht dhe nuk e përdor”, u shpreh aktivisti Migen Qiraxhi.

Kodi Zgjedhor, neni 91, pika 2 parashikon se është e ndaluar pjesëmarrja në fushatë e administratës publike gjatë orarit zyrtar të punës dhe nisur nga kjo dispozitë që vetë partitë politike kanë miratuar, ministri si kreu ekzekutiv i dikasterit të tij duhet ta respektojë i pari, jo ta shkelë i pari ligjin zgjedhor duke dhënë modelin negativ për vartësit e tij.

SHKARKO APP