Qëndroi mbi dy dekada në koma, ndërroi jetë “Princi i Fjetur” i Arabisë Saudite

Pas më shumë se njëzet vitesh në një luftë të heshtur mes jetës dhe vdekjes, Arabia Saudite i dha lamtumirën një prej figurave më prekëse të familjes mbretërore. Princi Al Waleed bin Khaled bin Talal Al Saud, i njohur prej kohësh në mediat botërore si “Princi i Fjetur”, ka ndërruar jetë, duke mbyllur një kapitull të gjatë vuajtjeje dhe shprese të paprerë.

I lindur në prill të vitit 1990, Princi Al Waleed ishte djali i madh i Princit Khaled bin Talal Al Saud, një prej figurave të dalluara të shtëpisë mbretërore dhe nip i princit të famshëm miliarder, Al Waleed bin Talal. Që në moshë të re ai ishte rritur nën hijen e privilegjeve të pallatit dhe pritshmërive të një trashëgimie të madhe, por fati i tij do të merrte një drejtim tragjik e të papritur.

Në vitin 2005, vetëm 15-vjeçar, teksa kryente studimet si kadet ushtarak në Londër, një aksident i rëndë automobilistik i ndryshoi përgjithmonë jetën. Goditja i shkaktoi dëmtime të rënda në tru dhe hemorragji të brendshme, duke e çuar menjëherë në koma. Në një përpjekje të dëshpëruar për ta shpëtuar, familja e tij mobilizoi disa nga mjekët më të njohur në botë, nga SHBA e deri në Spanjë, por pavarësisht çdo ndërhyrjeje, Princi nuk arriti të rikthejë kurrë vetëdijen e tij të plotë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Për më shumë se dy dekada, dhoma e tij në spital u shndërrua në një strehë shprese dhe lutjeje. Lëvizje të rralla të pavullnetshme, ndonjëherë një ngritje gishti apo një përpëlitje qepallash, ushqenin besimin e familjes dhe të atyre që e quanin një “mrekulli që priste të ndodhte”.
Princi Khaled, babai i tij, sfidoi vazhdimisht sugjerimet mjekësore për të ndërprerë aparaturat që e mbanin në jetë, duke u mbështetur në besimin e tij të palëkundur se Zoti mund të bënte mrekullinë. Ai u bë simbol i një atësie të qëndrueshme, i një dashurie të pakushtëzuar që refuzoi të dorëzohej përballë fatit.

Swiss Digital Mobile Reklama

Vdekja e Princit Al Waleed shënon fundin e një historie të gjatë dhimbjeje dhe shprese që preku mijëra njerëz në mbarë botën, duke i kujtuar të gjithëve se, përtej titujve dhe pasurisë, ekziston një dimension thellësisht njerëzor që bashkon të gjithë. Ai do të kujtohet si “Princi i Fjetur” që sfidoi kohën dhe si një dëshmi e prekshme e dashurisë së pandërprerë të një babai për të birin.
AV/KJ

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?