Qentë e rrezikshëm lëvizin lirshëm në Tiranë
Kafshimi që i bëri një qen i rracës Pit Bull një gruaje, bëri që një i afërm i saj të marrë automatikun dhe të qëllojë me breshëri mbi të, në rrugën “Sitki Çiço”, në Tiranë. Nga plumbat u plagos 19 – vjeçari Vehbi Rrijolli. Autori është Denis Lala. Dëshmitarë thonë se qeni lëvizte lirshëm nëpër lagje dhe banorët i frikësoheshin.
Të tillë qen të rrezikshëm, lëvizin po ashtu lirisht nëpër parqe, sheshe e rrugë të Tiranës. Disa janë ndër racat më të rrezikshme, që nëpër vende të ndryshme të botës, nuk lejohet të lëvizin pa maska. Në Shqipëri i gjen kudo nëpër ambiente publike, pa asnjë masë mbrojtëse. Edhe në zona ku ka tabela detyruese që qentë të mbajnë maska, ky rregull nuk respektohet. Madje shkelet edhe në prani të policisë.
Kafshimet nga qentë janë bërë të zakonshme edhe për mjekët. Vetëm në Shërbimin Infektiv në QSUT paraqiten mesatarisht 7 persona, të cilët janë sulmuar nga qen endacakë apo shtëpiakë. Në Ministrinë e Bujqësisë është një zyrë e posaçme që kontrrollon mënyrën se si duhen mbajtur qentë në publik.
Drejtuesit e saj, të kontaktuar nga Televizioni Klan thonë se veprojnë vetëm në rastet kur Bashkia i sinjalizon për shqetësimet që kanë banorët. Në raste të tilla, ata ndërhyjnë duke ia marrë qenin pronarit. Por deri tani nuk raportohet të ketë ndodhur ndonjë rast i tillë, edhe pse qentë e rrezikshëm lëvizin çdo ditë pa maska në rrugë, duke sulmuar shpeshherë qytetarët.
Tv Klan
[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=p2g76EAqyxk” width=”560″ height=”315″]
KOHA JONË SONDAZH

