Qeveria e Kosovës shkarkon ministrin serb Jabllanovic

Qeveria e Kosovës ka shkarkuar nga detyra ministrin serbe Aleksandër Jabllanovic. Kjo është bërë e ditur në një konferencë për media nga Kryeministri Isa Mustafa. Mustafa ka thënë se Ministri për Kthim dhe Komunitete në qeverinë e Kosovës Jabllanovic nuk është më pjesë e kabinetit qeveritar, por nuk ka bërë me dije nëse e ka shkarkuar atë apo ka dhënë dorëheqje.

Ministri që përfaqëson komunitetin serb në Kosovë, u vu në qendër të tubimeve popullore në Kosovë pas fyerjeve që bëri në adresë të grave kosovare që protestuan disa javë më parë gjatë vizitës së kryeminsitrit serb në Kosovë, Aleksandar Vuçiç, duke i quajtur ato "egërsira".

“Nga sot, ministri Jabllanoviç nuk bën më pjesë në kabinetin qeveritar”, ka deklaruar Mustafa.  
Duke iu përgjigjur interesit të mediave, shefi i qeverisë ka prekur edhe çështjen tjetër të nxehtë, atë të ndërmarrjes së Trepçës. “Për pasurinë tonë nuk debatojmë me të tjerë”, ka thënë ai.  Duke kaluar në problematika të tjera, për të cilat në javët e fundit ka pasur edhe protesta, Mustafa ka thënë se janë probleme të trashëguara të cilat kërkojnë kohë të zgjidhen. 

“Ditët e fundit jemi ballafaquar me greva dhe protesta të ndryshme. Më duhet të them se nuk jemi në gjendje të përballojmë rritjen e pagave, duhen edhe 130 milionë euro në buxhet, të cilat nuk i kemi”, ka thënë Mustafa.  
Ai ka shtuar se pagat në Kosovë nuk janë të ulëta krahasuar me vendet e tjera të rajonit, duke vënë në dukje se ato janë mbi mesataren e pagave në Ballkan, përkatësisht në sektorët e arsimit dhe shëndetësisë. 

SHKARKO APP