Qeveria gjermane, 650 milionë euro të ardhura nga taksa mbi sheqerin, do të shkojnë për sigurimin shëndetësor
Qeveria gjermane pret të arkëtojë 650 milionë euro të ardhura vitin e ardhshëm nga taksa e planifikuar mbi pijet me sheqer. Ato do të shkojnë në mbështetje të fondeve të sigurimit shëndetësor ligjor.
Rreth 650 milionë euro pritet të mbledhë qeveria gjermane vitin e ardhshëm nga taksa e planifikuar , e quajtur taksa mbi sheqerin. Këtë e deklaroi ministrja e Shëndetësisë, Nina Warken (CDU), për rrjetin editorial gjerman Redaktionsnetzwerk Deutschland (RND). Taksa do të aplikohet për pijet e ëmbëlsuara me sheqer.
Komisioni i ngritur nga qeveria në Gjermani ka rekomanduar një taksë të shkallëzuar sipas përmbajtjes së sheqerit: Nëse një pije përmban më shumë se 5 gramë sheqer për 100 mililitra, prodhuesit do të paguajnë rreth 26 cent për litër. Për pijet me më shumë se 8 gramë sheqer për 100 mililitra, tarifa do të jetë 32 cent për litër.
Sipas Warken, nga të ardhurat shtesë do të përfitojnë fondet ligjore të sigurimit shëndetësor. “Paketa e kursimeve parashikon që sigurimi shëndetësor të marrë më shumë mjete nga taksat”, shpjegoi ministrja. “Detajet do t’i përcaktojmë së bashku me Ministrinë e Financave.” Ajo shtoi se qeveria synon të veprojë në përputhje me rekomandimet e ekspertëve të Komisionit Financiar për Shëndetësinë, të cilin e ka ngritur vetë.
Taksa mbi sheqerin – mjet për stabilizimin e financave të sigurimeve shëndetësore
Fakti që taksa mbi sheqerin, e diskutuar prej vitesh, tani pritet të bëhet realitet, lidhet me vështirësitë financiare të fondeve ligjore të sigurimit shëndetësor. Kjo taksë është një nga 66 propozimet e komisionit të ekspertëve për stabilizimin e financave të sigurimeve shëndetësore publike.
Përveç të ardhurave që do të sjellë kjo taksë, ekspertët vlerësojnë se fondet e sigurimit do të kursejnë edhe më shumë para në afat të gjatë, pasi mund të parandalohet përhapja e sëmundjeve të lidhura me konsumimin e tepërt të sheqerit, si për shembull diabeti.
Vende të tjera, si Britania e Madhe, e kanë vendosur prej kohësh një taksë të tillë për pijet e ëmbëlsuara me sheqer. Në Gjermani, politika deri më tani ishte mbështetur kryesisht te vullneti i industrisë për të ulur përmbajtjen e sheqerit dhe te ndërgjegjësimi i konsumatorëve për të bërë vetë zgjedhje më të shëndetshme.
la/tgsch
KOHA JONË SONDAZH

