Qeveria “hap thesin” për SPAK-un, ja sa do të jetë buxheti i institucionit që do hetojë zyrtarët e lartë

Qeveria në mbledhjes se saj të zhvillaur në 31 korrik ka marrë vendimin për përcaktimin e buxhetit për vitin 2019, për strukrën e re që po ngrihet në kuadër të Reformës në Drejtësi, SPAK-ut.

Në vendimin e qeverisë thuhet se buxheti fillestar për vitin 2019 do të jetë “150 000 000 (njëqind e pesëdhjetë milionë) lekësh, për përballimin e shpenzimeve lidhur me ushtrimin e aktivitetit”

VENDIMI I PLOTË

VENDIM PËR PËRCAKTIMIN E BUXHETIT FILLESTAR TË STRUKTURËS SË POSAÇME KUNDËR KORRUPSIONIT DHE KRIMIT TË ORGANIZUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 10, të nenit 57, të ligjit nr.95/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

  1. Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i përcaktohet për vitin 2019 buxheti fillestar prej 150 000 000 (njëqind e pesëdhjetë milionë) lekësh, për përballimin e shpenzimeve lidhur me ushtrimin e aktivitetit gjatë vitit 2019.
  2. Ngarkohen Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për ndjekjen e procedurave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Por çfarë është SPAK?

Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar përdoret për t’iu referuar Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si edhe Njësisë së Pavarur Hetimore ndryshe quajtur edhe Byroja Kombëtare e Hetimit.
Kjo strukture, e përbërë nga organet e lartpërmendura do të ndjekë dhe hetojë vetëm çështjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ndërkohe Gjykata e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është përgjegjëse për gjykimin e veprave penale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe akuzave penale kundër një numër zyrtarësh të lartë si: Presidentit, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, anëtarëve të Këshillit të Ministrave, gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, deputetëve, etj. Gjykata e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është e përbërë nga gjykata e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e shkallës së parë dhe ajo e apelit, të cilat ndodhen në Tiranë me fuqi veprimi në të gjithë territorin e Shqipërisë.

/Dosja.al

SHKARKO APP