Qeveria miraton 210 milionë lekë në mbështetje të ndërmarrjeve sociale
Këshilli i Ministrave vendosi sot krijimin e fondit në mbështetje të ndërmarrjeve sociale, të njohura si të tilla nga ministri përgjegjës për çështjet sociale, me vlerë 210 milionë lekë, për periudhën 2026-2028.
Sipas vendimit të qeverisë, format e mbështetjes së ndërmarrjeve sociale nëpërmjet subvencionit janë mbështetja e hapjeve të vendeve të reja të punës në pagesën e pagës minimale të punonjësve të ndërmarrjeve sociale, që i përkasin grupeve të pafavorizuara; mbështetja në pagesën e sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore të punonjësve të ndërmarrjeve sociale, që i përkasin grupeve të pafavorizuara.
Ndërmarrjet sociale që përfitojnë subvencione për krijimin e vendeve të reja të punës, duhet të kenë: një projektpropozim 3-vjeçar; dokument që vërteton rritjen e numrit të të punësuarve, me përfaqësues nga grupet e pafavorizuara, të evidentuar në programet e mbrojtjes sociale dhe të punësimit, sipas legjislacionit në fuqi.
Një ndërmarrje sociale mund të përfitojë subvencion për hapjen e deri 10 vendeve të reja të punës, ku përfshihen pagesat e pagës minimale për punëmarrësit, për një periudhë 3-vjeçare. Vlera totale e ndihmës së dhënë një ndërmarrjeje sociale, e siguruar nga të gjitha format e mbështetjes së ndihmës shtetërore, përfshirë dhe format e mbështetjes nga buxheti i shtetit nuk do të kalojë shumën 14 milionë lekë për një periudhë prej tre vjetësh. Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen ministri përgjegjës për çështjet sociale dhe Shërbimi Social Shtetëror. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
KOHA JONË SONDAZH

