Qeveria miraton sistemin e patentës me pikë, ja si penalizoheni nëse bëni shkelje

 

Në mbledhjen e sotme të qeverisë është miratuar vendimi i hyrjes në fuqi të sistemit të patentës me pikë.

Sipas një njoftimi të ministrisë se Transporteve mbajtësi i çdo lejedrejtimi  zotëron fillimisht  një sasi prej njëzet pikësh. Pikët do të zbriten në bazë të njoftimeve nga komisioni i shqyrtimit të kundravajtjeve në Policinë e Shtetit, për shkeljet e normave të sjelljes, parashikuar në Kodin Rrugor, në masën e treguar në tabelën e pikëve, e cila mund të gjendet në faqen zyrtare  www.transporti.gov.al

Ja ndryshimet në Kodin Rrugor për patentat

1. Sasia e pikëve që i zbriten çdo mbajtësi lejedrejtimi mjeti, për rastet e shkeljes së normave të sjelljes, është sipas lidhjes nr.1, “Tabela e pikëve për shkeljet e normave të sjelljes”, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Mbajtësi i lejedrejtimit që ka humbur totalin e pikëve dhe mbajtësi i lejedrejtimit, i cili, pas njoftimit të shkeljes së parë, që përfshin një humbje prej, të paktën, pesë pikësh, kryen edhe dy shkelje të tjera, brenda dymbëdhjetë muajve nga data e shkeljes së parë, që kanë të bëjnë me shkurtim prej, të paktën, pesë pikësh secila, duhet t’i nënshtrohet provimit të kualifikimit teorik në Drejtoritë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor.

3. Në rastet e përmendura në pikën 2, të këtij neni, mbajtësit i tërhiqet lejedrejtimi nga organet e Policisë Rrugore dhe, së bashku me vendimin për heqjen e pikëve, i dërgohen Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.

     Rifitimi i pikëve, me anë të provimit të kualifikimit teorik, është i vlefshëm pas përfundimit të kohës së pezullimit të lejedrejtimit.

4. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor përgatit dhe administron procedurat e regjistrimit dhe të dhënies së provimit të kualifikimit teorik.

5. Tarifa e regjistrimit dhe e provimit të kualifikimit teorik miratohen nga ministri përgjegjës për transportin, në bazë të statutit të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.

6. Pyetjet e provimit të kualifikimit  përzgjidhen nga kapitulli 5, “Normat e sjelljes”, të Kodit Rrugor.

7. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor përgatit strukturën  dhe  pyetjet e provimit të kualifikimit teorik, të cilat i publikon në faqen e saj të internetit, së bashku me përgjigjet respektive.

8. Mbajtësi i lejedrejtimit fiton provimin e kualifikimit kur përgjigjet saktë, jo më pak se, 90 për qind të sasisë së pyetjeve.”.

SHKARKO APP