Qeveria portugeze reagon për vr*sjen e turistit në Ksamil: Shqipëria nuk na ka informuar
Autoritetet portugeze kanë reaguar pas vrasjes së turistit portugez Luis Miguel Varela Mendes, i cili ndodhej me pushime në Ksamil. Ministria e Punëve të Jashtme e Portugalisë ka bërë të ditur se po e ndjek nga afër ngjarjen dhe është në kontakt me autoritetet shqiptare. Sipas medias portugeze Renascença, Ministria e Jashtme ende nuk ka marrë informacion zyrtar nga autoritetet shqiptare mbi rrethanat e ngjarjes apo masat e ndërmarra pas saj.
“Ministria e Punëve të Jashtme po e ndjek rastin e këtij shtetasi portugez që ka ndërruar jetë në Shqipëri dhe, përmes ambasadës së saj në Romë, si edhe konsullatës së nderit në Tiranë, po e ndjekim çështjen së bashku me autoritetet lokale”, deklaroi zyrtarja Raquel Trindade.
20-vjeçari humbi jetën në orët e para të mëngjesit të së martës, pas një përleshjeje të dyshuar me mjete prerëse. Deri tani, autoritetet portugeze thonë se nuk kanë një pasqyrë të plotë të asaj që ka ndodhur. “Për momentin, ende nuk dihet saktësisht se çfarë ka ndodhur”, tha Trindade, duke shtuar se nga mediat lokale kanë mësuar për arrestimet e kryera, por se këto të dhëna nuk janë konfirmuar ende përmes kanaleve zyrtare.
KOHA JONË SONDAZH

