Qindra qytetarë dhe turistë festojnë qershinë në Godolesh të Elbasanit, tradita që promovon vlerat e zonës
Atmosferë festive, muzikë, traditë dhe shije autentike lokale solli këtë fundjavë “Festa e Qershisë” në Godolesh, një aktivitet tashmë i kthyer në traditë, i organizuar nga Bashkia Elbasan nën kujdesin e kryetarit Gledian Llatja.
Qindra qytetarë, banorë të zonës, vizitorë nga qytete të ndryshme të vendit, por edhe turistë të huaj, u bënë pjesë e festës së organizuar në Qendrën “Godolesh”, duke shijuar një mbrëmje plot gjallëri dhe aktivitete për të gjitha grupmoshat.
Në qendër të aktivitetit ishte qershia, produkti simbol i kësaj zone, e ekspozuar përmes stendave të fermerëve vendas, të cilët prezantuan prodhimet e tyre më cilësore. Krahas tyre, panairi artizanal tërhoqi vëmendjen e vizitorëve me punime tradicionale dhe produkte karakteristike të zonës.
Fëmijët u argëtuan me aktivitetet e dedikuara për ta, ndërsa atmosfera u ndez nga performancat artistike, vallet tradicionale, kërcimet moderne dhe koncerti festiv që mbajti të mbushur sheshin deri në orët e mbrëmjes.
“Festa e Qershisë” mbetet një nga aktivitetet më të rëndësishme promovuese të zonës së Godoleshit, duke vënë në pah potencialin bujqësor, turistik dhe kulturor të saj. Përmes kësaj feste, Bashkia Elbasan synon të mbështesë fermerët vendas, të promovojë produktet karakteristike dhe të forcojë identitetin e zonave rurale.
Mes muzikës, mikpritjes dhe aromës së qershive të sapovjela, Godoleshi u kthye për një mbrëmje në një pikë takimi ku tradita dhe zhvillimi ecën krah për krah, duke i dhënë edhe më shumë jetë e gjallëri komunitetit lokal.


KOHA JONË SONDAZH

