Qytetarët fikin makinat për 5 minuta, Basha: Nis pranvera e protestave
Qytetarët iu përgjigjen thirrjes së opozitës për të fikur makinat për 5 minuta kudo që ndodheshin kundër çmimit të lartë të energjisë.
Ndërkohë kryetari i PD-së Basha, pasi la makinën në rrugë dhe eci në këmbë tha se protesta e sotme është pranvera e protestave.
Basha tha se qytetarë të shumtë anembanë vendit nga Saranda në Shkodër, iu përgjigjen thirrjes së PD-së për të protestuar në mënyrë qytetare.
Për kreun e PD-së një protestë e tillë është për ti treguar qeverisë se nuk mund të luajë si të dojë me fatet e
njerëzve.
Në disa akse të Tiranës kishte trafik të ngarkuar.
Makinat u fikën në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në autostradën Tiranë- Durrës, Fier, Berat, e Vlorë.
Thirrja dje e Bashes
Basha deklaroi dje: Protesta e nesërme në oren 11.00 është vetëm hapja e një pranvere protestash të pandalshme, masive dhe popullore që s’kanë për ta lënë dyshen Rama-Meta të livadhisë sipas qejfit. Nuk do t’i lejojmë të sundojnë sipas trilleve, me bandat e tyre
kriminale e me stoqet e një korrupsioni të frikshëm që është instaluar në çdo zyrë publike.
Nuk do të jetë Shqipëria atdheu i padrejtësive ku i pamunduri vret veten në qeli se është lënë si kriminel vetëm për një debi energjie 35 mijë lekëshe, teksa debitoret 205 milionësh krekosen në parlament të mbrojtur nga dyshja Rama-Meta.
Nuk do jetë Shqipëria vendi ku qytetarëve të ndershëm u tregohen dhëmbët shtazarakë të pushtetit, ndërsa kriminelët e trafikantët e partisë ndajnë zonat e influencës dhe postet, ndajnë fitimet me dyshen Rama-Meta.
Durimi ka një kufi. Nesër në orën 11.00 të fikim për 5 minuta makinat kudo ku jemi, të tregojmë dinjitetin e shqiptarit, forcën e shumicës për të mbrojtur familjen dhe vendin. Pranvera e protestave po nis dhe ky regjim anti-popullor do të ndalet”
KOHA JONË SONDAZH

