Radha e Kukësit, pritet vendimi i Presidentit për të shpallur zgjedhjet e reja

Kur sfida e Rrogozhinës u kalua, tani më sytë janë nga bashkia e Kukësit. Safet Gjici i cili fitoi më 14 Maj, ndërpreu mandatin në 16 qershor pas skandalit intim të ndodhur në zyrë. Bazuar në nenet e Kushtetutës i takon presidentit të vendos datën e re të zgjedhjeve të parakohshme si rrjedhojë e shkarkimit të Gjicit.

Zgjedhjet të zhvillohen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga data e njoftimit të ndërprerjes së mandatit, por edhe pse ka kaluar më shumë se një muaj dhe afatet ligjore janë drejt përfundimit, presidenti Bajram Begaj ende nuk ka njoftuar një datë zyrtare për përsëritjen e zgjedhjeve në bashkinë e Kukësit.

Presidenca nuk mjaftohet me vendimin e shkarkimit të Safet Gjicit të botuar në fletore zyrtare, por është në pritje të njoftimit zyrtar nga Këshilli i ministrave për vendin bosh të mbetur në drejtimin e bashkisë së Kukësit. Ky ping pong institucional ngre pikëpyetje që zgjedhjet e parakohshme në Kukës të mbahen në kundërshtim të afateve ligjore.

Mundësia që mund të shfrytëzohet nga presidenti është që Kukësi të trajtohet sipas procedurave të zgjedhje normale për njësitë vendore, që në kod zgjedhor periudha më e afërt parashikohet të jetë në vjeshtë, nga 15 tetori deri në 15 nëntor.

SHKARKO APP