Radhët në Kakavijë, reagon Presidenti Meta: Thellësisht i shqetësuar për situatën ku ndodhen qytetarët shqiptarë

Mijëra qytetarë shqiptarë që duan të hyjnë në territorin e Greqisë kanë mbetur të bllokuar në pikën kufitare të Kakavijë. Radhët e gjata arrijnë deri në fshatin Jorgucat, dhjetëra kilometra larg pikës doganore.

Fëmijë, gra dhe të moshuar prej disa orësh ndodhen në rrugë, në temperatura që në këtë kohë arrijnë deri në 40 gradë. Mësohet se pala greke ka bllokuar sportelet për shkak të pandemisë. Ndërkohë që deri paraditen nuk ka pasur asnjë reagim nga institucionet shqiptare.

Presidenti Ilir Meta ka reaguar lidhur me situatën kaotike të krijuar në doganën e Kakavijës. Teksa ka postuar pamje se çfarë po ndodh në këtë pikë të kalimit kufitar me Greqinë, radhën pafund të automjeteve dhe shqiptarëve që po torturohen në pritje, Presidenti Meta i bën thirrje të fortë Qeverisë dhe Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme që të marrin masa për zgjidhjen e situatës.

“Thellësisht i shqetësuar për situatën në të cilën ndodhen qytetarët shqiptarë, të cilët vijojnë të jenë të bllokuar prej shumë orësh në pikën kufitare të Kakavijës, duke u ekspozuar seriozisht para rrezikut të përhapjes së pandemisë COVID-19.
I bëj thirrje urgjente Qeverisë dhe Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, të vendosin kontaktet me palën greke, për të marrë të gjitha masat për lehtësimin dhe garantimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve në anën tjetër të kufirit.
Zgjidhja duhet të jetë e menjëhershme!- shkruan Presidenti Meta në një postim në Facebook.

Dëshmitë nga Kakavija: Turp! Kemi ecur 7 km në këmbë, kemi gjithë natën këtu
Situata në Kakavijë  sa vjen dhe rëndohet ndërkohë qytetarët thanë për Top Channel se: “Nuk ka ujë, asgjë, kemi ecur 7 km në këmbë për të marrë bukë e ujë. Po kjo është turp. Tani në do presim se kemi ardhur që në 1 të natës, nuk mund të kthehemi. Radha as 500 metra nuk ka lëvizur, se dimë tani a do kalojmë apo jo. Kam bërë 10 km rrugë në këmbë, çfarë bëhet kështu, të gjithë po ikin në këmbë”.

Ministria e Jashme: Presim normalizimin e situatës 

Në një reagim të fundit nga Ministria e Jashtme, njoftohet se pala greke ka njoftuar deri në heqjen e detyrimit për bërjen e testit : “Me qëllim përballimin e situatës dhe lehtësimin e lëvizjes që qytetarëve shqiptarë janë kontaktuar në vijimësi autoritetet greke të cilët kanë shtuar personelin shëndetësor në Pikën Kufitare të Kakavijës. Së fundi pala greke ka njoftuar se do të marrë masa the tjera për lehtësimin e situates deri në heqjen e detyrimit për bërjen e testit.

Risjellim në vemendje se shtetasit shqiptarë mund ta kryejnë testin edhe në institucionet e licencuara shqiptare dhe ta përkthejnë përgjigjen në anglisht. Ky testim njihet edhe nga autoritetet greke dhe do ta lehtësonte më shumë situatën”.

SHKARKO APP