Radio Europa e Lirë: Bota reagon pas armëpushimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit

Shtetet e Bashkuara dhe Irani janë pajtuar të mërkurën për një armëpushim dyjavor, nën ndërmjetësimin e Pakistanit. Gjatë kësaj kohe, palët pritet të zhvillojnë bisedime për një marrëveshje për paqe të përhershme. Më poshtë mund t’i lexoni reagimet nga anë e mbanë botës për armëpushimin e përkohshëm:

BASHKIMI EVROPIAN

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e përshëndeti armëpushimin dyjavor midis Shtetet e Bashkuara dhe Iran, duke thënë se ai do t’i ulë tensionet. “E mirëpres armëpushimin dyjavor për të cilin SHBA-ja dhe Irani u pajtuan mbrëmë. Ai sjell uljen e tensioneve, që është shumë e nevojshme” tha ajo, duke shtuar se është thelbësore që negociatat të vazhdojnë për një zgjidhje të qëndrueshme.

Swiss Digital Desktop Reklama

GJERMANIA

Swiss Digital Mobile Reklama

Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, gjithashtu e përshëndeti armëpushimin në luftën në Lindjen e Mesme dhe bëri thirrje për një përfundim përfundimtar të konfliktit. Qëllimi tani është “të negociohet një fund i qëndrueshëm i luftës në ditët në vijim”, tha ai në një deklaratë. “Kjo mund të arrihet vetëm përmes diplomacisë”. Ai shtoi se Gjermania do të kontribuojë “për të garantuar lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit”.

FRANCA

Presidenti francez, Emmanuel Macron, e përshëndeti armëpushimin, duke e quajtur marrëveshjen “gjë shumë e mirë”. “Presim që në ditët dhe javët në vijim ajo të respektohet plotësisht në të gjithë rajonin dhe të lejojë zhvillimin e negociatave”, tha Macron në fillim të një takimi të zyrtarëve të lartë të mbrojtjes dhe sigurisë. “Dëshira jonë është të sigurohemi që armëpushimi të përfshijë plotësisht edhe Libanin”, shtoi ai.

MBRETËRIA E BASHKUAR

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ka udhëtuar drejt Gjirit për të zhvilluar bisedime me liderët rajonalë, në përpjekje për t’u siguruar që Ngushtica e Hormuzit të hapet përgjithmonë pas armëpushimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, njoftoi zyra e tij. “E mirëpres marrëveshjen e armëpushimit të arritur gjatë natës, e cila do të sjellë një moment lehtësimi për rajonin dhe botën”, tha Starmer në një deklaratë. “Së bashku me partnerët tanë duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për ta mbështetur dhe ruajtur këtë armëpushim, për ta kthyer atë në një marrëveshje afatgjatë dhe për ta rihapur Ngushticën e Hormuzit”, shtoi ai.

SPANJA

Spanja thotë se njerëzimi iu afrua katastrofës me ultimatumit të Trump ndaj Iranit. Bota iu afrua “rrezikshëm shumë” një katastrofe pasi presidenti amerikan, Donald Trump, kërcënoi të shkatërronte qytetërimin iranian në ultimatumit e tij ndaj Teheranit, tha ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares, pas shpalljes së armëpushimit. Ai i tha radios RNE se ultimatum i Trump ishte “absolutisht i papranueshëm për njerëzimin” dhe se është shumë herët për të përcaktuar nëse konflikti ka përfunduar përfundimisht. “Kur lideri i një superfuqie ushtarake bën kërcënime të tilla, unë i marr seriozisht”, shtoi ai.

KINA

Kina tha se e mirëpret armëpushimin midis SHBA-së dhe Iranit. “Kina mirëpret që palët përkatëse njoftuan arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Mao Ning, duke shtuar se Kina do të vazhdojë të punojë për rikthimin e paqes në Lindjen e Mesme.

EGJIPTI

Egjipti, i cili javët e fundit ka ndihmuar në ndërmjetësimin e mesazheve midis SHBA-së dhe Iranit, e mirëpriti njoftimin e presidentit amerikan Donald Trump për armëpushim dyjavor. Në një telefonatë gjatë natës me të dërguarin amerikan Steve Witkoff, ministri i Jashtëm egjiptian, Badr Abdelatty, “shprehu vlerësimin e tij të thellë për këtë hap të rëndësishëm amerikan për t’i dhënë një shans diplomacisë dhe për të nisur një proces serioz negociatash amerikano-iraniane”. /REL/

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?