Radio “Europa e Lirë”: Projekti prej miliarda eurosh që po nxit polemika në Shqipëri

-Botuar në radion “Europa e Lirë”-

Në Zvërnec, fshat pranë qytetit bregdetar të Vlorës, në Shqipëri, punimet përgatitore për një projekt turistik, të lidhur me planet e shpallura më herët nga Jared Kushner, dhëndër i presidentit amerikan Donald Trump, për ndërtimin e hoteleve dhe vilave, nxitën protesta dhe një varg shqetësimesh.

Banorë, aktivistë mjedisorë dhe përfaqësues të shoqërisë civile përmendën tri kryesore: ndikimin në mjedis, paqartësitë mbi pronësinë e tokës ku planifikohet ndërtimi, dhe mungesën e transparencës për projektin.

Swiss Digital Desktop Reklama

Më 30 maj, protesta në Zvërnec u shoqërua me përplasje të dhunshme me punonjës të sigurimit privat. Protestat më pas u bartën edhe në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, ku u kërkua anulimin i projektit dhe dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.

Swiss Digital Mobile Reklama

Çfarë tha Rama?

Kreu i ekzekutivit shqiptar po e mbron projektin. Ai tha se investimi në Zvërnec mund të arrijë vlerën prej 4 miliardë eurosh, dhe se mund ta vendosë Shqipërinë në “listën e kampionëve” të turizmit.

Sipas Ramës, projekti do të zhvillohet vetëm në pronë private, laguna nuk do të preket dhe investitorët kanë premtuar se gjithçka do të bëhet sipas ligjit.

“Nuk ka asnjë shans që investimi të ndalojë për aq kohë sa unë do të jem këtu”, u shpreh ai.

Por, kryeministri i Shqipërisë tha se për Zvërnecin ende nuk ka një projekt konkret, por vetëm një koncept të miratuar me kushte, ndërsa studimi mjedisor ende nuk është përfunduar.

Përfshirja e prokurorisë speciale

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar – SPAK konfirmoi më 1 qershor se ka nisur një hetim lidhur me Zvërnecin. Rama tha më pas se SPAK-u kishte bllokuar një transaksion prone, të lidhur me projektin.

Më 3 qershor, ai tha se SPAK-u ka verifikuar pronësinë e investitorëve të huaj mbi tokën ku është planifikuar projekti turistik. Sipas tij, është sqaruar origjina e fondeve të kaluara përmes bankës, ndërsa fondet janë mbajtur të ngrira dhe nuk i janë kaluar shitësit, për të cilin ka një proces hetimor.

SPAK-u, ndërkaq, i tha Radios Evropa e Lirë (REL) se çështja ndodhet në një fazë procedurale, dhe se hollësitë nuk mund të bëhen publike tani për tani.

Kush janë blerësit e tokës?

Pronare e zonës së rrethuar në Zvërnec rezulton të jetë kompania Albania Land Development.

Të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit tregojnë se pronarë të kësaj kompanie janë vëllezërit nga Katari, Mohamadmoataz Mhd Ruslan Alkhayat dhe Ramez Mhd Ruslan Alkhayyat.

Më 29 prill, Këshilli Kombëtar i Territorit dha leje për rrethimin dhe për punime përgatitore për rrugët e qasjes brenda pronës. Leja iu dha shoqërisë Zvërnec South Adriatic Development, në cilësinë e zhvilluesit të punimeve përgatitore.

Banorë të Zvërnecit i kanë thënë REL-it se janë të përfshirë në një kontest gjyqësor për pronësinë e tokës, që ata pretendojnë se u është marrë padrejtësisht.

Pse përmendet Kushner?

Në mars të vitit 2024, Kushner tha se synon të ndërtojë hotele dhe qindra vila në Zvërnec.

Sipas gazetës New York Times, ai do të përfshihej përmes firmës së tij investuese, Affinity Partners, e mbështetur nga fonde saudite dhe investitorë të tjerë të huaj.

REL-i iu drejtua Affinity Partners lidhur me investimet e parapara në Shqipëri dhe protestat që po zhvillohen. Përgjigjja erdhi nga Sazan Real Estate Development LLC, e cila tha se i respekton “proceset e vazhdueshme publike dhe institucionale” dhe është e gatshme të ecë përpara ndërsa ato zhvillohen.

Kompania figuron në regjistrin e pronarëve përfitues si një nga personat juridikë indirektë në strukturën e pronësisë së kompanisë Albania Land Development.

Kërkesa për transparencë

Përfaqësues të shoqërisë civile dhe analistë në Shqipëri konsiderojnë se pikërisht mungesa e transparencës është në qendër të debatit për Zvërnecin.

Rigels Xhemollari, nga organizata Qëndresa Qytetare, tha për REL-in se çështja mund të zgjidhet vetëm nëse bëhen publike dokumentet kryesore. Sipas tij, nëse nuk ka transparencë, projekti do të mbetet i kontestuar.

Politologu Ermal Hasimja beson se zgjidhja duhet kërkuar te zbatimi i ligjit, por mendon se problemi është bërë më i madh për shkak të ndryshimeve ligjore që, sipas tij, kanë hapur rrugë për abuzime në zona të tilla.

“Nëse do të ketë transparencë të plotë mbi ata që kanë pronat, si i kanë marrë, mbi ata që do të investojnë, duke parë edhe aspektin e lejeve mjedisore dhe duke respektuar në të gjitha rastet ligjin, besoj se do të gjendet rruga e duhur”, tha Hasimja për REL-in.

Për gazetarin dhe analistin Ben Andoni, “projekte të tilla nuk mund të kalojnë thjesht nëpërmjet protagonizmit të kryeministrit Rama dhe të disa individëve”.

Ai tha për REL-in se çështja e Zvërnecit ka nxjerrë në pah një problem më të madh: atë të pronësisë, “që është gati një ‘kancer’ për zhvillimin e Shqipërisë”.

Efekti i protestave

Xhemollari kujton se protesta ka sjellë më shumë vëmendje mediatike, ndërkombëtarizim dhe ndërgjegjësim qytetar për Zvërnecin.

Hasimja i sheh protestat si shenjë pozitive të aktivizimit qytetar, sidomos të të rinjve, ndërsa Andoni e cilëson pjesëmarrjen e gjeneratës Z risinë më të madhe.

Po pretendimet për ndikime të huaja? Xhemollari i hedh poshtë ato, duke thënë se “pas tyre nuk ka as grekë, as serbë, as izraelitë, as agjentë”.

Edhe Andoni konsideron se pretendimet e tilla janë të zmadhuara dhe se protesta është më shumë rezultat i pakënaqësive të grumbulluara.

Jetmira Delia-Kaci

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?