Rama 92 mandate në zgjedhje? Deputetja Çupi: Po bën presion ndaj ndërkombëtarëve
Asambleja Politike e Partive Popullore Europiane, miratoi këtë të premte rezolutën e propozuar nga Partia Demokratike, ku shpreh shqetësimin për arrestimin e liderëve të opozitës, kapjen e shtetit dhe përkeqësimit të peizazhit politik para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025.
Deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi tha se kjo rezolutë është një lajm mjaft i mirë për opozitën dhe Shqipërinë. ”Shqetësues është fakti që jemi vetëm pak muaj para zgjedhje. Jemi vetëm disa muaj para zgjedhjeve dhe jemi në kushte totalisht të pabarabarta. Ne i kemi liderët politikë në arreste, në burg. Nuk kemi një reformë të thellë zgjedhore, nuk kemi kushte të barabarta për të hyrë në zgjedhje. Kemi një pushtet të tërë të vënë në funksion të zgjedhjeve”, tha deputetja Çupi për ”A2cnn”.
Do të marrë Rama 92 mandate në zgjedhjet e përgjithshme në 2025? Deputetja u shpreh e bindur se Rama bën deklarata si presion ndaj ndërkombëtarëve. ”Nuk ndodh që Rama të marrë 92 mandate. Ai këtë e ka si presion ndaj ndërkombëtarëve. Këtë çështje e ka përdorur për t’i paraprirë rrezikut që i kanoset Ramës apo PS-së në zgjedhjet e ardhshme”.