Rama: 95% e shërbimeve në administratë kryhen përmes sistemit e-Albania

Lezha ishte stacioni tjetër i kryeministrit Edi Rama, në kuadër të takimeve sensibilizuese për “Ligjin e Bashkëqeverisjes”. Kreu i qeverisë tha se 95% e shërbimeve mund të kryhen online përmes portalit qeveritar e-Albania dhe vetëm 5% kanë nevojë për prezencë fizike në administratën shtetërore.

“95% e shërbimeve mund të kryhen online përmes portalit qeveritar e-Albania, vetëm 5% kanë nevojë për prezencë fizike në administratën shtetërore, p.sh., martesat. Këto nuk bëhen dot digjitale pasi duhet të jenë prezent njëri dhe tjetri dhe duhet të thonë ato fjalët, plus dhe dëshmitarët. Dëshmitarët digjital nuk janë shpik akoma, mbase do vije dhe ajo kohë që do bëhen dhe martesat digjitale me siguri, por për momentin këtë nuk e ka bërë njeri në botë dhe nuk kemi si ta bëjmë ne”.

Për të mbi 1,200 shërbime nuk kanë nevojë për prezencë fizike, të cilat realizohen pa dalë nga shtëpia në rast se dikush ka një smartphone apo kompjuter. “Nëse nuk ka as smartphone as kompjuter, te posta, te njësia më afërt ose te një fqinj që mund ta bëj këtë gjë për ty dhe mos të humbasësh kohë për të marrë rrugën apo për të pritur në radhë”.

Kryeministri tha se ligji u kthye mbrapsht nga Presidenca për arsye që janë bërë të ditura tashmë, duke theksuar më tej se do të kthehet në Kuvend për t’u votuar ashtu siç është.

SHKARKO APP