Rama: Aksioni për shembjen e ndërtimeve pa leje mund të zgjasë gjithë mandatin e ri
Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja kanë prezantuar paketën me masat ligjore për mbrojtjen e pronës dhe territorit.
Në fjalën e tij, Rama tha se kjo paketë e re është hartuar nga një grup i gjerë ekspertësh dhe deputetësh dhe përqendrohet në ndalimin e ndërhyrjes së ndërtuesve te projektet arkitektonike duke i deformuar ato, si dhe shitjet vetëm me leje ndërtimi.
“Për këtë paketë të re ligjore që do të prezantojmë është punuar me shumë intensitet nga një grup i gjerë ekspertësh, juristësh dhe me ndihmën e disa deputetëve që kanë pasur një aktivitet të lidhur me komisionin e ligjeve. Dua t’i falënderoj të gjithë ata që kanë marrë pjesë në këtë punë që është zhvilluar gradualisht gjatë gjithë periudhës së verës. Nuk është një paketë e përkryer, por është një tërësi masash që do të na japin mundësinë të kemi në dorë instrumente të reja për të mbrojtur territorin, duke filluar nga suksesi përfundimtar i një ofensive që po do të zgjasë aq sa të jetë e nevojshme, ndoshta gjatë gjithë mandatit të ri, për ndalimin pa kthim të çdo shfrytëzimi për të ndërtuar pa leje, duke vazhduar deri te mbrojtja e autorësisë së projekteve arkitektonike, të cilat gjatë gjithë kësaj kohe që kur në Shqipëri ka filluar të ndërtohet, janë deformuar dhe përdhunuar në formën e tyre nga ndërhyrja e ndërtuesve, gjë që sigurisht i kthen në praktikisht pothuajse formale vendimmarrjet që marrin njësitë përkatëse të qeverisjes vendore. Një tjetër pasojë e konsiderueshme është mashtrimi që u bëhet blerësve duke u shitur objekte vetëm me pamjet e lejes së ndërtimit”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama paralajmëroi masa të ashpra edhe për ndërtuesit.
“Veç rregullores, do krijojmë kushte për të asistuar subjektet që do duhet të vendosin me leje dhe me norma e kritere të qarta edhe strehë apo tendë. Nuk bën vvaki më me platforma dhe me hapje të tyre deri te rruga.
E dyta, është ajo për paligjshmërinë e ndërtimit të ligjshëm, që është një tjetër fenomen për të cilin ne do të bëjmë gjithçka që ta ndalim. Ka një përmirësim të ndjeshëm. Mua s’më intereson përmirësimi por çfarë nuk shkon. Ne do të bëjmë të gjitha këto ndryshime duke i ngarkuar me përgjegjësi të gjithë njerëzit që janë hallka e zinxhirit të ndërtimit nga arkitekti, supervizori dhe inspektorët përkatës. Sepse në një ndërtim ku projekti i miratuar transformohet e deformohet duke u kthyer nga një ndërtim me leje në abuziv të gjithë janë pjesë e një zinxhiri fajësie, por në qendër është ndërtuesi. Për këtë arsye, ndërtuesit që do të zihen në këtë faj, do të hyjnë në listën e zezë dhe s’do të mund të marrin më asnjë leje dhe të zhvillojnë asnjë aktivitet ndërtimor për një numër vitesh që mendoj se duhet të jetë më i madh se ai që propozoi grupi i punës. Nuk mund të vazhdojmë të shohim se si disa ndërtues mashtrojnë qytetarët, të cilëve mund t’ju themi se në një sistem që kemi zgjedhur, marrëdhënie kontraktuale janë marrëdhnëie mes palëve, jo marrëdhënie ku qeveria mund të ndërhyjë dhe përsa kohë keni marrë përgjegjësi, s’kemi ça të bëjmë… Por kjo nuk është zgjidhja se qytetarët kanë paguar dhe rrinë jashtë. Ndodh siç ndodhte në atë pallatin ku shkuam me ministrin që nuk i lenë as të futen brenda, ose faktivisht nuk marrin dot shtëpinë se arrijnë deri në absurd që një apartament shitet dy herë. Për këtë arsye masa do të jetë e rëndë për ata që e bëjnë një gjë të tillë dhe përveç listës së zezë, do të jetë imediat konfiskimi i objektit, do ta administrojë shteti dhe do ta vërë në dispozicion të atyre që kanë paguar”, tha Rama.
KOHA JONË SONDAZH

