Rama, banorëve të Dhërmiut: Ka përfunduar kalvari i vuajtjeve për regjistrimin e shtëpive të trashëguara
Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Dhërmi, ku do të shpërndajë certifikata pronësie. Rama tha se procesi i regjistrimit të pronave të trashëguara do të mbyllet në tetor.
Edi Rama: E gjithë marrëdhënia e titujve të pronësisë ka qenë shumë e komplikuar, në gjuhën teknike bëhet fjalë për vendosjen në hartë të pronave dhe nga ana tjetër vendosjen edhe të shtëpive, në përputhje me vendndodhja reale me atë në kadastër, që të mos ketë konflikte.
Ajo që ka ngatërruar këtë pjesë është ajo që ka ndodhur në shumë vite, duke filluar nga ’90 kur është bërë shumë zullum me letrat, AMT-t, certifikatat, janë gjendur tre pronarë për një pronë. Në mënyrë të rëndomtë një copë tokë bëhet burim konflikti sepse ka pretendentë të ndryshëm që tregojnë letrat. Kjo vjen si rezultat i veprimeve, por edhe sepse nuk është bërë baza e punës, që më në fund e kemi bërë, që prona e secilit të vendoset në vendin e vet.
Janë të dyja anët e medaljes, ky kalvar i gjatë për të regjistruar shtëpitë e trashëguara ka përfunduar dhe është thjesht çështje regjistrimi dhe dorëzimi i certifikatës. Sot janë 789 certifikata, në të gjithë Qarkun e Vlorës është një numër mbi 4 mijë, me këto të sotmet që një pjesë do i shpërndajmë këtu dhe e bëjmë për të sensibilizuar të tjetër për të aplikuar sepse një pjesë janë jashtë dhe procesin e aplikimit e kanë të vështirë ta bëjnë e kuptojmë, arrijmë të përmbyllim 1/3 e punës. Pjesa tjetër, do ta përmbyllim deri në fund të tetorit. E rëndësishme është që njerëzit duhet të aplikojnë, është bërë asistencë prej shumë prej jush për aplikim.
E gjithë ana teknike ka përfunduar, është thjesht regjistrimi, vendosja në hartë e pronës dhe dhënia e certifikatës.
Ju bëj thirrje të gjithëve, por edhe ju lutem edhe juve, ti thoni që të bëjnë aplikimin. Është i rëndësishëm.