Rama, batuta dhe humor në pritjen me gazetarët

Kryeministri Edi Rama organizoi sonte në Pallatin e Brigadave pritjen e fundvitit me gazetarët. Takimi ishte ideuar me një format të ri, i ngjashëm me atë që Presidentit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës zhvillon me gazetarët në çdo fundvit në Shtëpinë e Bardhë. Fillimisht kanë qenë gazetarët ata që flisnin dhe shprehnin mendimet e tyre për veprimtarinë e qeverisë këtë vit. Takimi nisi me një dozë humori. Aktori i “Portokallisë”, Florian Binaj, imitoi Ramën për t’ia lënë më pas vendin humorit të Filip Çakulit. Më pas folën gazetari i “Zërit të Amerikës”, Armand Mero, gazetari i “Klan Kosova”, Baton Haxhiu, botuesi i Mapo-s, Henri Çili, si dhe gazetarë të tjerë. Baton Haxhiu ishte gazetari që e thumboi më tepër kryeministrin. Ai tha se “kryeministri ka filluar të shoqërohet shumë me Aleksandër Frangajn, gjë që nuk është shumë e mirë, pasi- siç tha Baton Haxhiu- kryeministrat që rrinë me Sandrin humbasin zgjedhjet”.  Ndërsa kryeministri Rama kishte rezervuar një fjalim shpotitës për gazetarët dhe drejtuesit e mediave, ku nuk kurseu ironinë, por edhe autoironinë. “Është privilegj që të kesh një detyrë si e  imja që të jep mundësinë fatlume, që në prag të Krishtlindjeve të kesh një darkë si kjo me njerëz që të kanë quajtur rrezik diktatorial, madje dhe i rrezikshëm”. Duke iu referuar mungesës së disa gazetarëve të ftuar, Rama u shpreh se, “askush prej jush nuk është këtu se ka hyrë në burg, por e ka zgjedhur të mos jetë këtu”. Ai tha se “unë nuk kam frikë ta them që jam i lumtur me ju këtu, ndërsa shumë prej jush keni frikë ta thoni që jeni të lumtur me mua këtu”. Kryeministri Rama shtoi se, “ky është një format i kopjuar nga Presidenti Obama, i cili, vijoi Rama, takohet me gazetarët, të cilëve u pëlqen vetja më shume se sa ju dhe këtë, ma ka thënë vetë Presidenti Obama”. Duke folur për vizitën e Atit të Shenjtë, Papa Françesku në Tiranë, në shtatorin e këtij viti, kryeministri Rama tha se, “shumë nga ju këtu keni qejf ta përsërisni që unë jam arrogant, por dhe më arroganti përkrah Papës kthehet në më të voglin, sigurisht nuk mund të flas këtu për paraardhësin tim”. “Sa më shumë ta marrim veten me shaka aq më shumë kemi mundësi të ecim përpara”,- tha kryeminsitri Rama. Kryeministri tha se në pritjen e tij kanë qenë të ftuar të gjithë, madje edhe Fahri Balliu. Më pas, ai ka përmendur Aleksandër Frangajn, duke thënë se “tani Mero Baze do shkruajë se u ul sërish në krye të vendit”. Batutat nuk i ka kursyer dhe për Andi Bushatin dhe Fatos Lubonjën, për të cilin ka thënë se është gjithmonë vigjilent ndaj tij dhe që sipas Ramës, “nuk do të binte dakord me asgjë”. Nuk mund të mungonte edhe një batutë për Arjan Çanin, me të cilin ka pasur një marrëdhënie të hapur armiqësore. “Arjan Çani është i pazëvendësueshëm dhe han bukë veç”,- tha Rama. Ndërsa një batutë e nisi edhe botuesin e “Koha Jonë” Nikoll Lesi , i cili ishte i pranishëm.

 Takimi ishte organizuar bukur dhe në një mënyrë të re nga pritjet protokollare të viteve të tjera, ku flet kryeministri e të tjerët dëgjojnë.

SHKARKO APP