
Kryeministri Edi Rama premtoi se deri në vitin 2028 vendi synon të ketë një kadastër tërësisht të digjitalizuar. Sipas tij problematika e pronave në Shqipëri lidhet me mënyrën se si u menaxhua procesi pas rënies së komunizmit, ku pas viteve ’90 shumë prej tyre u dëmtuan, humbën ose u zëvendësuan me dokumente të falsifikuara, duke krijuar konflikte të shumta ligjore që vazhdojnë edhe sot.
”Po digjitalizojmë kadastrën, kemi mbështetje financiare nga BE dhe po e mbyllim këtë hendek. Synojmë që deri në vitin 2028 ne të kemi një kadastër të digjitalizuar, të paktën nuk do të kemi probleme pronësie”, u shpreh Rama gjatë një konference me gazetarë të BE-së. Rama kujtoi se pas rënies së komunizmit pati lëvizje masive të popullsisë drejt zonave urbane, veçanërisht në Tiranë, ku numri i banorëve u rrit ndjeshëm dhe krijoi probleme sa i pwrket pronave.
”Për 10 vjet pas regjimit komunist numri i popullsisë në Tiranë u dyfishua dhe duke u trefishuar. Zunë tokë ku mundën, me tenda të vogla në fillim. Kjo krijoi një tjetër shtresë pronësie, pra kishim ish-pronarët, pastaj në ’91-shin Parlamenti nxori një ligj, aktin e përdorimit të tokës. Kjo krijoi shumë tensione dhe probleme”.
