Rama dhe Veliaj përurojnë edhe dy godina të reja në “Qytetin Studenti”: Kushte europiane për studentët

Dy godina të reja dhe me standarde europiane i shtohen “Qytetit Studenti” në Tiranë. Kryeministri Edi Rama, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe ministrja për Arsimin dhe Sportin, Ogerta Manastirliu morën pjesë në ceremoninë e përurimit të konvikteve të reja, të transformuara falë mbështetjes financiare të Qeverisë Gjermane, përmes Bankës KfW, ku përfshihet edhe rikonstruksioni i 15 godinave të tjera, me programin “Rehabilitimi me efiçencë energjetike i konvikteve studentore të universiteteve publike në Shqipëri”.

“Ky qytet gjer më dje i rrënuar, po rilind me ambicie e punë të madhe, duke shtuar rrjetin e godinave të cilësisë më të lartë, që nga dhomat e fjetjes të pajisura me dushe e tualete më vete, sallat e leximit, hapësirat e gatimit e ngrënies në çdo kat, internet falas, sistem sigurie, lavanteri, si edhe duke u përgatitur për zbatimin e projekteve të një sërë godinash të reja administrative, social-kulturore e sportive”, shprehet Rama.

Gjatë ceremonisë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi faktin se ky investim ofron një realitet të ri për studentët. “Më vjen mirë që vazhdojmë subvencionimin e pagesës për studentët. Një dhomë në këto konvikte kushton më pak se 20 lekë në ditë. Pra, sa një kafe dhe një ujë në ditë. Në total është një shumë prej 5500 lekësh në muaj, ndërkohë që në realitet kostoja është shumë më e lartë. Ne si të majtë besojmë se këtë kosto do e ndajmë bashkë me studentët. Bashkia e Tiranës paguan më shumë se 6000 lekë në muaj, duke përfshirë edhe ujin, dritat, internetin e çdo gjë tjetër, ndërkohë që studentët paguajnë më pak se 200 lekë në ditë, për një ambient që do ta kishte zili çdo hotel me 3-4 yje në Tiranë”, tha Veliaj.

Ai shtoi se Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, kanë bërë politika sociale dhe solidariteti për të gjitha shtresat e shoqërisë, që nga fëmijët, studentët dhe deri te pensionistët.

Në fund, kryebashkiaku ndau idenë e përbashkët me kryeministrin Rama, kur tha se konviktet e reja mund të kthehen në një instrument investimi, duke i kthyer ato në Airbnb gjatë verës. Nga ky investim, në “Qytetin Studenti” përfitojnë më shumë se 2.600 studentë shqiptarë, çka përmirëson ndjeshëm kushtet e tyre të jetesës dhe të studimit.

SHKARKO APP