Rama dhuron qingja, Meta dhuron zogj

 

Dy krerët e mazhorancës, kryeministri Edi Rama dhe kryeparlamentari Ilir Meta, duket se e kanë marrë vetë në dorë cështjen e dëmshpërblimeve për familjet e përmbytura në jug të vendit. Javën kaluar, vetë Rama i dorëzoi rreth 400 krerë dele e qingja  një fermeri në Fier, ndërsa sot në terren zbriti kreu i LSI-së, Ilir Meta, i cili kishte zgjedhur të dhuronte zogj ne një pulari të fshatit Ferras. Meta shoqërohej edhe nga ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti. Të vënë përballë presionit të opozitës dhe vetë banorëve që janë ankuar në media, Rama e Meta i kanë marrë vetë në dorë frenat e dëmshpërblimeve për banorët e prekur nga përmbytjet. Sigurisht që nuk mund të shkojnë shtëpi më shtëpi duke dhuruar dele, lopë, pula e zogj, por duket se ata kujdesen mirë që të japin mesazhin se do të dëmshpërblehen një për një të gjithë të dëmtuarit. Ndoshta ndodh vërtet kështu, ndërsa s’duhet harruar edhe as konjuktura zgjedhore. Jemi në prag të zgjedhjeve lokale të 21 qershorit dhe mazhoranca me çdo kusht kërkon të minimizojë pakënaqësitë ndaj qeverisjes së saj, qoftë edhe nëpërmjet formave të tilla simbolike e që më pas propagandohen në media. Nuk duhet harruar që përmbytjet kanë ndodhur në një zonë e cila është “hambar” votash për LSI-në dhe PS-në. Qarku i Fierit është një zonë ku dy partitë e majta marrin shumë vota, e jo më kot vëmendja aty është e lartë.

SHKARKO APP