Rama: Duka s’e kapërdiu dot trëndafilin socialist
Kryeministri Rama ka pranuar se ka dhënë ai idenë për shqiponjën në fanellën e kombëtares së futbollit, ndërsa ka sugjeruar edhe ngjyrën gri për një prej uniformave.
Duke folur për Klan Kosova, Rama tha se i kishte dhënë dhe një ide tjetër Armando Dukës, një trëndafil të kuq e zi dhe me shaka thotë: “Mbase iu duk një provokim partiak dhe si i djathtë që është, sado që i moderuar me thënë të drejtën, nuk e kapërdiu dot trëndafilin socialist!”.
Pjesë nga intervista
“M’u dha rasti ta ndaj këtë ide me Armando Dukën gjatë përgatitjeve të para për në Francën, Ia shpjegova dhe vizatova kur po pinim një kafe. I pëlqeu dhe e mori t’ia jepte studios së dizajnit që punoi për uniformat” thotë Rama.
Edhe njëherë: Unë kam dhënë thjesht një ide, po puna, autorësia, merita për të tre uniformat e bukura të Kombëtares është e studios që ka përzgjedhur federata.
Përfitoj nga rasti t’i komplimentoj edhe publikisht, sepse më parë i kam komplimentuar nëpërmjet Armandos.
Dhe meqë mua muhabetet e dizajnit më tërheqin shumë, po ju tregoj edhe pak më shumë. Sepse më vjen mirë që më dëgjuan edhe për ngjyrën e kostumit zyrtar!
I thash Presidentit: Po më dëgjuat mua bëjeni gri e jo të zi kostumin, sepse është shumë më elegant për një skuadër futbolli dhe për më tepër, në qershor është shumë më i përshtatshëm. Do ta kisha dashur edhe pak më të hapur në fakt, po prapë është shumë mirë!
Dhe më vjen aq mirë sa s’ua tregoj dot që edhe në këtë aspekt ia kemi dalë me francezët; të cilët janë tekanjozë të mëdhenj e mezi presin të rrudhin buzët e të shkruajnë me tone tallëse për një autoritet apo një skuadër të veshur pa elegancë!
Por, aman ju lutem, mos mendoni se më ka dëgjuar për të gjitha Presidenti…
Është tip më vete dhe po s’iu mbush mendja për një gjë, kot të lodhesh!
Do kishte qenë maksimumi sipas meje, po të kishin vënë në jakën e kostumit edhe një trëndafil të vogël kuqezi, po nuk e binda dot Armandon t’ia përcjellë çunave të studios këtë sugjerim, megjithëse i solla shembull një nga kostumet më të bukura zyrtare, atë të Manchester United, në finalen dramatike të Kupës së Kampionëve në Camp Nou, me Bajernin; me një lule të madhe të kuqe në xhepin e xhaketës.
Spektakolar!
Mbase iu duk një provokim partiak dhe si i djathtë që është, sado që i moderuar me thënë të drejtën, nuk e kapërdiu dot trëndafilin socialist!
Bëj shaka ?
KOHA JONË SONDAZH

