Rama homazh për kryeministrin e parë shqiptar: Ja dy ngjarjet e mëdha që luajti rol moderatori
Kryeministri Edi Rama ka bërë homazh për kryeministrin e parë shqiptar, Sulejman Delvina. Në një postim në Facebook, kreu i qeverisë e quan Delvinën si një njeri i të ardhmes dhe arbitër i fateve të Shqipërisë.
Rama përmend dy ngjarjet më të rëndësishme, që Sulejman Delvina luajti rolin e moderatorit duke i dhënë atij shumë vlera.
Postimi i plotë i Ramës
HOMAZH
SULEJMAN DELVINA, Kryeministri i parë shqiptar që iu përshtat idesë së parlamentarizmit, nuk dukej i paracaktuar nga fati për të qenë, një ditë, arbitër i fateve të Shqipërisë. Lindi në fillim të tetorit 1871 në një nga oxhakët më të dëgjuar të Toskërisë, i cili e kishte humbur ndikimin e një herë e një kohë, por jo aurën e së kaluarës.
Kjo e kaluar, nuk e pengoi Sulejman Fehmi beun të kthehej në njeri të së ardhmes. Mund të thuhet madje, që në një mënyrë apo në një tjetër, trashëgimia familjare e ndihmoi, në çdo rast, të kthehej në njeri të situatës.
Të mos kishte qenë për klubin shqiptar të Stambollit i cili e vuri në krye të një përfaqësie në Konferencën e Paqes me 1919, ndoshta Sulejman beu, mjaft mirë i ingranuar në rrjetin xhon-turk do të kishte vazhduar jetën në suazën perandorake, siç e kishte filluar. Pas Zosimeas në Janinë, kishte studiuar në Mylkie, shkollën e lartë të administratës duke u përgatitur kështu për të shërbyer në institucionet me të rëndësishme, ministrira dhe Kryeministri.
Nuk ishte revolucionar, por kemalizmi në Turqi, që e admironte, i dha të kuptonte se ndryshimi, me qasje kryekëput europiane, ishte jetik për të ruajtur dhe konsoliduar integritetin dhe sovranitetin e vendeve të dala nga Perandoria osmane. Pa qenë thjesht pragmatik, Sulejman Delvina, ishte i qartë se nëse nuk do ta printe parësia ndryshimin dhe nëse nuk do të ishte ajo që do t’i udhëhiqte dinamikën, atëherë vendi mund të binte në dorën e aventurierëve. Jo se vetë parësia ishte e privuar nga aventurizmi, por më së paku, jepte idenë e një rendi në mes te paqëndrueshmërive shqiptarë.
Të dy ngjarjet e mëdha të 15 viteve të para të Shtetit shqiptar, Sulejman Delvina i përqafoi kësodore pa shumë mëdyshje, duke luajtur një rol moderatori që i dha jo pak kredite. Ngjarja e parë, Kongresi i Lushnjes, e bëri Kryeministër në formatin e parë demokratik të Shtetit shqiptar dhe i dha mundësinë historike të qeveriste një Shqipëri për herë të parë të zbrazur nga ushtritë e huaja. Ngjarja e dytë, revolucioni i qershorit të 1924 e vendosi në krye të diplomacisë shqiptare.
Njeri i situatës, Sulejman Delvina u kthye kështu edhe në njeriun e kontradiktave. Me temperamentin gjithmonë e më të lëkundur nga mbivendosja e situatave gjithmonë e më të paparashikueshme, ai u tërhoq nga politika pas vitit 1925 dhe ndërroi jetë pak vite më vonë, duke lënë kujtimin e një shtetari të aftë, që nuk mungoi të ishte edhe njeri, me pamjaftueshmëritë e natyrshme të species.
#TëPAHARRUESHËM🙏