Rama i dhuron Sali Shehut të FRD, Bashkinë Kamëz?

 

Pas zyrtarizimit të përfshirjes së Frymës së Re Demokratike në koalicion me mazhorancën qeverisëse, kanë nisur të dalin edhe emrat e parë me të cilët kjo forcë politike e drejtuar nga ish-presidenti Bamir Topi do të përfaqësohet në zgjedhjet lokale.

Sali Shehu pritet të jetë kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Kamzës, një prej bashkive të mëdha në vend, e cila është qeverisur historikisht nga Partia Demokratike. Shehu ka qenë deputet i PD-së dhe pjesë e grupimit të Bamir Topit në këtë parti. Pasi ish-presidenti themeloi FRD-në, Shehu u rreshtua në radhët e kësaj force. Emri i tij u diskutua edhe si një kandidat i mundshëm për të marrë drejtimin e Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, pas shkarkimit të Zana Xhukës.

Kandidatura e Sali Shehut për Bashkinë Kamëz mësohet se ka edhe pëlqimin e kryeministrit Rama, ndonëse asgjë nuk është zyrtarizuar. Përpara se FRD të hynte në koalicion me Ramën ishte pothuajse e sigurt që mazhoranca do të dilte me Safet Gjicin si kandidat për Kamzën. Prefekti aktual i Kukësit, prej kohësh kishte përgatitur terrenin dhe kishte nisur fushatën për betejën e 21 qershorit, por me shumë gjasa s’do të jetë ai i besuari i Ramës dhe Metës. Me kandidaturën e Sali Shehut, si një ish deputet i PD-së, mazhoranca kërkon të marrë vota edhe në radhët e elektoratit të djathtë, pasi Kamza historikisht është njohur si një bastion i të djathtës.

Kjo bashki është populluar ndër vite me banorë të ardhur kryesisht nga zonat veriore të vendit. Nga ana tjetër, edhe pse nuk ka asgjë zyrtare, PD pritet të dalë sërish në zgjedhje me kryebashkiakun aktual, Xhelal Mziu. Në zgjedhjet e 23 qershorit 2013, mazhoranca arriti të fitonte shumë më shumë vota se herët e tjera në Kamëz. Mbetet për t’u parë nëse do ta ruajë epërsinë edhe në 21 qershor 2015.

Sali Shehu ka shume perkrahje ne ate zone dhe do te kete perplasje brenda se djathtes ne kete Bashki.

SHKARKO APP