Rama intervistë për ”Channel 4”: Nuk ka nisur asnjë ndërtim në Zvërnec, gjithçka do të kalojë filtrin e BE-së
Kryeministri Edi Rama në një intervistë për ”Channel 4”, ka mbrojtur projektet e propozuara nga investitori amerikan Jared Kushner në Shqipëri, duke theksuar se në Zvërnec nuk ka nisur ende asnjë projekt ndërtimi dhe se çdo zhvillim do të realizohet vetëm pasi të përmbushen të gjitha standardet mjedisore.
I pyetur për protestat që kanë vijuar për javë të tëra kundër projektit, Rama tha se i sheh ato si shprehje të pritshmërive më të larta të qytetarëve dhe jo si një problem për qeverinë. Lidhur me punimet e kryera në terren në Zvërnec, ai sqaroi se bëhet fjalë vetëm për ndërhyrje paraprake për studime teknike dhe jo për fillimin e investimit. Sipas tij, projekti është ende në fazën e vlerësimeve mjedisore, gjeologjike dhe hidrologjike.
Rama mohoi gjithashtu se ekziston një projekt konkret për ishullin e Sazanit, duke theksuar se aktualisht nuk ka as marrëveshje dhe as leje për zhvillimin e tij. Në përgjigje të shqetësimeve të Komisionit Europian për ndryshimet në legjislacionin mjedisor dhe ndikimin e mundshëm të investimit, kreu i qeverisë deklaroi se Shqipëria nuk mund të lejojë një projekt që bie ndesh me standardet e Bashkimit Europian.
Intervista e plotë
Gazetarja: Faleminderit shumë, zoti Kryeministër, që na pritët. Protestuesit kanë gati 60 ditë që protestojnë. Si ndiheni kur protestuesit janë jashtë zyrës suaj natë pas nate?
Edi Rama: Është diçka e mrekullueshme për vendin, për shoqërinë, sepse në të njëjtin bulevard, jo shumë kohë më parë, rreth 15 vite më parë, njerëz u vranë me plumba të vërtetë ndërsa protestonin paqësisht. Kam reflektuar shumë mbi këtë protestë dhe kam arritur në përfundimin se për njerëzit nuk bëhet fjalë për faktet, dhe me të drejtë, por për pritshmëritë më të larta që i nxjerrin në rrugë. Kjo nuk është diçka e keqe. Është e mrekullueshme. Prandaj thashë se është fantastike. Kështu që i kuptoj.
Gazetarja: A keni rishqyrtuar ndonjë nga politikat tuaja si pasojë e këtyre protestave?
Edi Rama: Cilat politika?
Gazetarja: Politikat lidhur me projektin në Sazan dhe Zvërnec, prej nga nisi gjithçka, për shkak të rrezikimit të habitatit të flamingove dhe habitateve të tjera atje.
Edi Rama: Jo. Nuk ka nisur asnjë projekt.
Gazetarja: Unë e kam parë.
Edi Rama: Jo.
Gazetarja: Atëherë çfarë kam parë? A nuk duhet t’u besoj syve të mi?
Edi Rama: Do t’ju tregoj çfarë keni parë, por nuk ka nisur asnjë projekt. Dhe, sa i përket Sazanit, që e përfshitë në pyetjen tuaj, në Sazan nuk ka as projekt dhe as marrëveshje. Përfshirja e Sazanit këtu është krejt e panevojshme, sepse ende nuk kemi asgjë në Sazan.
Gazetarja: Por zoti Kushner dhe zonja Trump i lidhën të dy projektet, apo jo? Ata thanë se projektet janë të lidhura.
Edi Rama: Po, ideja është e lidhur.
Gazetarja: Atëherë ma shpjegoni, sepse unë shkova në Zvërnec dhe pashë vendin ku projekti kishte nisur dhe më pas ishte ndalur.
Edi Rama: Jo. Projekti nuk ka nisur në Zvërnec.
Gazetarja: Atëherë çfarë pashë me gardhet e kështu me radhë?
Edi Rama: Do t’ju shpjegoj. Nuk është fillimi i projektit. Janë vetëm përgatitje për kryerjen e punimeve paraprake, përpara se të jepet leja, bazuar në vlerësimin mjedisor, gjeologjik dhe hidrologjik.
Gazetarja: Por zakonisht vlerësimi mjedisor bëhet përpara se të futen buldozerët, sepse ata mund të dëmtojnë mjedisin. Zakonisht dërgohen disa shkencëtarë për të bërë vlerësimin.
Edi Rama: Buldozerët janë përdorur për të hapur kalimin për njerëzit, për komunitetin, për të krijuar rrugë përmes pronës private, në mënyrë që njerëzit të mos pengoheshin të lëviznin.
Gazetarja: Por njerëzit kalonin edhe më parë në rrugën me rërë. Ata u bllokuan vetëm pasi u vendos gardhi.
Edi Rama: Përsëri, nëse doni faktet, unë po jua them faktet.
Gazetarja: Zoti Kushner tha se ju ishit në jaht me ta kur zbuluan ishullin në vitin 2020.
Edi Rama: Më ftuan t’i bashkohesha disa njerëzve në një jaht që ndaloi në Shqipëri për t’u furnizuar me karburant, rrugës për në Mal të Zi. Ishte jahti i Nat Rothschild. Pranova ftesën dhe shkova. Aty takova Jared-in dhe Ivanka-n. Nuk e di nëse kishin dëgjuar më parë për Shqipërinë. Por mund t’ju them me siguri se nuk kishin ndonjë interes të drejtpërdrejtë për Shqipërinë. Ata ishin shumë të interesuar për historinë dhe vendin ku ndodheshin. Më pas, disa muaj më vonë, u takova me Jared-in në Davos. Ai më shprehu interesin për të eksploruar mundësinë e investimit. Sigurisht që i thashë po. Si mund t’i thosha jo? Për mua kjo ishte gjëja më normale. Ky do të jetë një nga zhvillimet më të jashtëzakonshme që do t’i ndodhin Europës pas shumë kohësh. Nuk kanë ndodhur shumë gjëra të jashtëzakonshme në Europë këto vitet e fundit.
Gazetarja: Pse është kaq i jashtëzakonshëm?
Edi Rama: Sepse nuk do të jetë ashtu siç e imagjinojnë njerëzit, gabimisht. Ashtu siç e imagjinoni edhe ju, gabimisht.
Gazetarja: Unë nuk po imagjinoj. Kam parë atë që Jared Kushner publikoi në Instagram dhe disa nga planet e tjera. E kuptoj që ato nuk janë planet përfundimtare.
Edi Rama: Ajo që u publikua në Instagram ishte vetëm një prezantim paraprak. Projekti ka evoluar, procesi ka evoluar. Tani janë përfshirë arkitektë të njohur botërisht dhe projektues peizazhi me përvojë të madhe në zonat ligatinore. Në të njëjtën kohë, ne po kryejmë në mënyrë të pavarur vlerësimin e ndikimit në mjedis. Projekti nuk synon të shkatërrojë një vend të bukur. Ai synon ta rigjenerojë atë.
Gazetarja: Komisioni Europian ka shprehur shqetësim dhe, sigurisht, anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është shumë i rëndësishëm për ju. Komisioni është i shqetësuar për ligjet mjedisore dhe gjithashtu për ndryshimet në ligjin mjedisor të vitit 2024, i cili krijon një lloj përjashtimi për investimet strategjike. A mendoni se mund ta rishikoni edhe një herë këtë?
Edi Rama: Është mirë, madje shumë mirë, që Komisioni është i shqetësuar. Dhe nuk mund të ishte ndryshe. Ne jemi në negociata për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Europian. Prandaj, vetë ideja se mund të ecim përpara me një projekt që nuk përputhet me standardet europiane është e papranueshme. Ajo që po them është: qetësohuni, flisni për faktet, komentoni faktet dhe shikoni faktet. Mos u nxitoni të thoni se gjithçka është katastrofike.
Gazetarja: Duket sikur ju kanë lënduar personalisht këto akuza.
Edi Rama: Jo, jo. Nuk jam i lënduar.
Gazetarja: Megjithatë, duket se i merrni shumë personalisht. Është interesante.
Edi Rama: Nuk jam i lënduar.
Gazetarja: Sepse duket se i merrni shumë personalisht.
Edi Rama: Dëgjoni, gjithçka është personale. Kushdo që e bën punën e tij ose të saj me pasion, e përjeton personalisht. Por nuk jam i lënduar. Kjo më ka ndihmuar. Siç ju thashë më parë, për mua protesta e qershorit, jo kjo e tanishmja, ishte njëkohësisht një konfirmim se vendi është në një nivel tjetër dhe, nga ana tjetër, një pasqyrë shumë e qartë për të parë se mbi çfarë duhet të reflektojmë.

KOHA JONË SONDAZH

