Rama: Kemi 43 zona urbane dhe 98 rurale që kanë ujë 24 orë

Kryeministri Edi Rama, thotë se në 2013-ën vetëm katër zona, në gjithë Shqipërinë furnizoheshin 24 orë me ujë, ndërsa sot janë 43 zona urbane dhe 98 zona rurale që kanë ujë 24 orë. Në takimin me asambletë socialiste të njësive 5, 6, 13, 14 të kryeqytetit, Rama iu përgjigj akuzave për furnizimin me ujë të Tiranës.

“Tirana ka 24 orë ujë në 67% të territorit të vet. Në 67% të territorit të vet ka 24 orë ujë, dhe ky nuk është opinion. Ky është fakt i lexueshëm në të gjitha faturat e ujit. Dhe ka 17 orë mesatare në pjesën tjetër të territorit, sepse Tirana nuk është më bashkia e vogël, por është gjithë kjo, gjithë ky territor i madh.

Po t’i kthehemi pak historisë, nuk ka pasur kurrë ujë 24 orë në fshat, as Tirana dhe asnjë vend tjetër i Shqipërisë nuk ka pasur. Akoma janë ca që shkruajnë: “Akoma flisni për ujë, akoma flisni për drita, akoma flisni për rrugë?” Po për çfarë të flasim, për raketa? Ne nuk është se kur morëm detyrën, na e dhanë Shqipërinë me një bazë raketash, që i kishin çuar në Hënë dhe na ra ne t’i çojmë në Mars.

Kur ne e morëm detyrën në Shqipëri kishte vetëm katër zona, në gjithë Shqipërinë me furnizim 24 orë me ujë, sot janë 43 zona urbane që kanë ujë 24 orë, janë 98 zona të tjera rurale që kanë ujë njëzet e katër orë dhe ka plot akoma, patjetër, se nëse do të donim të bënim ujë 24 orë për të gjithë territorin e Shqipërisë, duhet të linim pa bërë shumë e shumë gjëra të tjera, se bëhet fjalë për miliarda, jo për miliona, por ama, mbulimi me ujë njëzet e katër orë i pjesës më të madhe të popullsisë dhe në zonat më të përqendruara është mënyra se si ne kemi ecur me investimet”,-tha Rama.

SHKARKO APP