Rama: Kemi të lira 30% të kapaciteteve të spitaleve

Kryeministri Rama akuzoi opozitën se po bën politikë me pandeminë dhe mohoi që spitalet të jenë në kolaps.

Në një konferencë për mediat Rama tha se aktualisht “kemi të lira 30% të kapaciteteve të spitaleve”.

Sipas kryeministrit opozita i ka shpresat për pushtet tek ëndrra e një katastrofe shëndetësore.

Më lejoni të ndaj ndjenjën e neverisë dhe të përbuzjes për shefat e të ashtuquajturës opozitë që janë çakërdisur deri në pikën ku shpresat e tyre të lodhura për pushtet i kanë mbështetur tek ëndrra e një katastrofe shëndetësore.

Janë bërë zëdhënës të panikut, të çorodisë psikologjike, zëdhënës të një pesimizmi krejtësisht të fabrikuar për të krijuar sa më shumë dëshpërim në popull përmes gënjeshtrave, sajesave dhe abuzimeve të një propagande të shfrenuar që dëmton moralin e mjekëve, infermiereve, eksperteve që po udhëheqin në këtë front ku Shqipëria ka një pjesë të vogël, në një vijë që përfshin të gjithë vendet e planetit.

Është e pajustifikueshme me asgjë që tu thuhet njerëzve që spitalet janë në kolaps. Kjo nuk është e vërtetë, edhe mund të ishin, por nuk janë, që njerëzit dergjen dyshemeve, çka nuk është e vërtetë. Që mjekimi bëhet në autoambulanca, falë edhe ndihmës së ndonjë media që në mënyrë të papërgjegjshme ka raportuar.

Numrat po rriten kudo. Po vjedh kancelarja gjermane, kryeministri britanik?! Është një absurd që nuk vjen nga padituria, por nga qëllimi ogurzi për të përhapur panik, për të mbjellë dëshpërim dhe për të armiqësuar njerëzit me qeverinë. Shumë e dukshme dhe vulgare, pasi po e përdorin për të marrë pushtet”, shtoi Rama.

SHKARKO APP