Tre drejtues të institucioneve në varësi të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë kanë paraqitur dorëheqjen këtë të premte, pas kërkesës së kryeministrit Edi Rama për largimin e drejtuesve të institucioneve shtetërore.
Ata janë: Besmir Beja, drejtor i Përgjithshëm i Doganave, Ilir Binaj, drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, si dhe Etugert Llazi, drejtues i Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB).
Procesi i dorëheqjeve është shtrirë edhe në institucionet në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ku kërkesa për largim ka përfshirë drejtuesit e 11 institucioneve.
Në listën e drejtuesve të prekur nga kjo kërkesë përfshihen administratori i Albpetrolit, drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), administratorët e Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST) dhe Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), drejtuesi i Hekurudhës Shqiptare, si dhe drejtori i Përgjithshëm i Albcontrol.
Lëvizjet vijnë pas kërkesës së Ramës për largimin e drejtuesve të institucioneve shtetërore, ndërsa procesi përfshin disa prej strukturave kryesore të administratës publike dhe sektorëve ekonomikë e infrastrukturorë të vendit. Sipas raportimeve, të enjten nga Samiti në Budva, Rama nisi një sms tek ministrat, ku kërkoi një valë largimesh.
Lexoni edhe:
Mbi 130 drejtorë drejt dorëheqjes, dalin detaje të reja. Procesi do të zhvillohet në dy faza
Ja lista e drejtuesve që u është kërkuar dorëheqja e mënjëhershme…
