FIFA World Cup 2026 11 Qershor - 19 Korrik 2026
00 ditë
00 orë
00 minuta
00 sekonda

Rama: Koncerti i madh i KANYE WEST dhe gënjeshtrat me bisht akrepi për të helmuar Shqipërinë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ndaj kritikave dhe akuzave në rrjetet sociale lidhur me organizimin e koncertit të Kanye West në Tiranë. Në një deklaratë të gjatë, Rama i ka cilësuar si “shpifje” pretendimet se shteti ka paguar 50 milionë euro për koncertin, duke sqaruar se angazhimi fillestar i qeverisë ka qenë vetëm për mikpritje, siguri dhe mbështetje logjistike, pa detyrim financiar.

Sipas kryeministrit, vetëm në momentet e fundit është ndërhyrë me një shumë prej 4 milionë eurosh për të mos lejuar anulimin e eventit dhe për të shmangur dëmtimin e imazhit të Shqipërisë. “Koncerti do të financohet nga sponsorët dhe shitja e biletave”, ka deklaruar Rama, duke theksuar se një aktivitet i tillë ndërkombëtar pritet të sjellë përfitime ekonomike për kryeqytetin dhe promovim ndërkombëtar për vendin.

Rama ka kundërshtuar gjithashtu kritikat për zonën ku do të zhvillohet koncerti, duke thënë se aty nuk ka pasur një hapësirë të gjelbër, por një fushë me ferra të zgjedhur për shkak të mungesës së një stadiumi me kapacitet të mjaftueshëm. Në reagimin e tij, kryeministri ka bërë dallim mes protestave të qytetarëve për shqetësime reale dhe asaj që ai e quajti përdorim të protestës përmes “shpifjeve, dezinformimit dhe manipulimit”.

Swiss Digital Desktop Reklama

Fjala e plotë

Swiss Digital Mobile Reklama

Përshëndetje nga unë! Dështakzemërakët e bashkuar, për ta kthyer në kos për urinë e tyre për pushtet e për lavdi, rrjedhën e pastër të ujit të protestës së flamingove, i janë turrur deri edhe koncertit unikal të Kanye West. Ish-a që u larguan nga detyra të larta me shumë zemërim e pa lavdi; humbësa që hynë në zgjedhje si zgalema e dolën nga zgjedhjet si kalastrena; turlilloj foltoristash të rizhgënjyer, pëdëistash të rigënjyer, arqimarksistash të rrjetëzuar, islamistash të tiktokëzuar, shkelësa ligji të frymëzuar, janë bërë bashkë si një kore e zezë e protestës dhe nuk ndalen në ndotjen e kanaleve sociale, me shpifje, falsifikime, manipulime, sharje pa pushim, urrejtje për t ushqyer urrejte, verbëri për të ushqyer verbëri, ndaj kujtdo që e shikojnë si pengesë e gjithckaje që i penogn ta shikojnë veten në një karrige.
*
Ja ku janë, 50 milionë eurot që paska dhënë ministri ynë për një natë koncert, ndërsa spitalet s’paskan ilaçe.
*
A e dëgjuat! Një gënjeshtër me bisht, me bisht akrepi madje, e sajuar për të pickuar e për të helmuar mendjen e kujtdo që përjeton me konfuzion këtë çorodi. “Ja ku janë 50 milionë eurot… vetëm për një natë koncert!”, thotë ai. Librat e shenjtë na mësojnë prej mijrëa vitesh se shpifësi është më i keq se vrasësi. Kurani e dënon kaq rëndë shpifjen, sepse shpifja nuk vret vetëm një njeri; ajo minon vetë themelet e besimit mes njerëzve. Fjala është amanet, fjala nuk mund të bëhet lanet dhe shpifësi e bën lanet, sepse shpifësi nuk ndërton asgjë, po jeton për të rrënuar atë që ndërtojnë të tjerët. Shpifësi e përbuz të vërtetën, sepse ai gërrmon vetëm në kërkim të grropës ku të ekzekutojë dënimin pa gjyq.

Punon për diskreditimin, shkatërrimin, përbaltjen, dhe asgjësimin moral të të tjerëve. “50 milionë euro ka dhënë shteti për Kenin e Nestit”, shkruan ky humorist pa din e pa iman nën video-shpifjen e tij. Ndërkohë, koncerti i Kanye West është një ngjarje botërore, i cili do të financohet tërësisht nga sponsorat dhe shitja e biletave, sikur soji i këtij karagjozit, të mos i kishte mbushur faqet sociale me glasat e apeleve për bojkotimin e koncertit, për transformimin e koncertit në protestë, duke i trembur dashamirët e muzikës së Kanye Westit dhe faktikisht duke dekurajuar shitjen e biletave të koncertit madhështor?

Po si është e vërteta? E vërteta është si gjithnjë e thjeshtë dhe e ilustrueshme me dokumenta. Që në fillim ne kemi firmosur vetëm një letër gatishmërie si mikpritës, ku kemi garantuar përvec mikpritjes sigurisht, siguri dhe mbështetje logjistike, duke theksuar se nuk marrim përsipër asnjë angazhim financiar. Asnjë angazhim financiar! Por si i bëhet kur je i detyruar “in extremis”, të ndërhysh siç bëmë faktikisht vetëm mbrëmë, me 4 milionë euro, për të mos lejuar anulimin e një koncerti të shumëpritur dhe turpërimin e Shqipërisë, në rradhë të parë para atyre dhjetëra mijëra blerësve të huaj të biletave, të cilët janë më shumë sesa tifozët e huaj që erdhën në Tiranë për finalen e Conference League.

Përfitimet nga ajo ngjarje ndërkombëtare sporti ishin të jashtëzakonshme dhe të jashtëzakonshme do të jenë edhe përfitimet nga kjo ngjarje ndërkombëtare muzike.
Edhe pse për hir të vërtetës do të preferonim të mos paguanim asnjë qindarkë deri në fund, shuma që dhamë për një aktivitet, pra 4 dhe jo 50 dhe të organizuar krejtësisht privatisht, i cili do t’i kthejë ekonomisë së kryeqytetit shumëfishin e kësaj shume, dhjetëra mijëra konsumatorë të huaj, pa llogaritur vlerën e reklamimit global të emrit të Shqipërisë në një nga komunitetet më të mëdha kulturore të botës, është një shumë mëse e arsyeshme. Mund ta kishim dhënë dhe qysh në krye të herës po të ishte nevoja, por u detyruam dhe tani shikoni si vazhdon gënjeshtra bishtakrep!
*
“Gjithë kjo fushë këtu, ka qenë gjithë gjelbërim.”
*
Aty ka qenë vetëm një fushë ferrash, ku organizatorët identifikuan vendin më të përshtatshëm, në mungesë të një stadiumi me kapacitet të madh, për të ngritur stadiumin 60 mijë spektatorësh. Po nuk është aspak rastësi që ky shpifarak i mbushur me helm, është një llapaqorr i partisë “Shqipëria Bëhet”.
Shqipëria Bëhet, me shpifje. O Burra!
“Lëvizim Bashkë”… me shpifje. O burra!
“Shpifja është një Mundësi.” O burra tek mundësia!
Shpif, shpif, se diçka do të mbetet. Patjetër do të mbetet.
Shikojeni tani “gjelbërimin”.
*
“Kush e di se çfarë do të bëhet pas kësaj?”
*
“Kushedi se çfarë do të bëhet më pas”, çfarë t’i thuash këtij sallahani, po shyqyr nuk tha se u rrafshua pylli që të ndërtohet një thertore flamengosh, pas shpinës së Kanye West.
*
Edhe thonë pastaj për çfarë del në protestë…
*
Jo, jo. Unë jo, nuk them kurrë për çfarë del në protestë ajo nëna e shokut tim që u përplas për kohë të tëra me një papërgjegjshmëri të një mjeku.
Nuk them kurrë për çfarë del në protestë ai djalë apo ajo vajzë që e duan sinqerisht natyrën dhe janë të frikësuar se zhvillimi mund të dëmtojë natyrën. Mund të dëmtojë biodiversitetin. Nuk them kurrë unë për çfarë del në protestë kushdo që ka një hall, një shqetësim, një padrejtësi për të kundërshtuar apo që ka një shpresë për të ushqyer.
Nuk them sepse e di qe ata njerëz nuk i bashkon etja për pushtet. Nuk i bashkon dëshira për karrige o rash e vdiqa. Nuk i bashkon urrejtja që hajde ta kthejmë përmbys gjithçka. I bashkon shqetësimi.

Dhe pikërisht pse i respektoj arsyet e tyre, unë nuk i shoh dot të merren peng nga korbat e shpifjes, nga sorrat e manipulimit dhe nga parti e partiçka që nuk kanë asnjë projekt për Shqipërinë, por kanë vetëm ngulmimin për të rrëzuar gjithçka. Me shpifje, me sharje, me kërcënime, me forcë e ku të munden edhe me dhunë duke shfrytëzuar shpejtësinë çmendurake të algoritmit.

Shpifjet nuk kanë ndërtuar kurrë asgjë, përveç mureve të dasisë dhe mosbesimit mes njerëzve dhe në këtë vend patjetër që mund të gjesh jo një, jo njëqind, por një mijë arsye për të protestuar. Është normale në çdo vend, është normale në çdo vend.

Historia na e ka mësuar se sa më shumë përparon një shoqëri, aq më pak ajo i toleron problemet që kërkojnë zgjidhe dhe kjo është shenjë lirie reale dhe demokracie të gjallë. Problemi nuk është ushtrimi i lirisë së protestës. Nuk është as gjallërimi demokratik i shoqërisë përmes protestës. Problemi është kur protesta ushqehet me shpifje, me dezinformim dhe me manipulim dhe kur kthehet në një mjet për ta kthyer vendin mbrapa. Prandaj problemi nuk janë flamingot. Problemi janë sorrat dhe korbat!

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Protesta po prodhon edhe dhunë, a jeni dakort me këtë menyrë reragimi?