Rama kritikon Gjykatën Administrative: Për rrogat e veta hapin dyert e thesarit, por jo për hallet e qytetarëve
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Administrative lidhur me rritjen e pagave të gjyqtarëve dhe administratës së saj, duke e cilësuar të pazakontë shpejtësinë me të cilën është marrë masa për ekzekutimin e vendimit. Gjykata zhbllokoi pagat për GJKKO-në dhe Gjykatën e Durrësit.
Përmes një postimi në X, Rama ngre pikëpyetje mbi standardin e ndjekur nga gjykata, duke e krahasuar shpejtësinë e veprimit në këtë çështje me kohën që u duhet mijëra qytetarëve për shqyrtimin e dosjeve të tyre.
“Por të marrësh sa hap e mbyll sytë masën e parë të sigurisë në historinë e botës, jo për të ndaluar po për të nxitur për interesin vetjak ekzekutimin e një akti që me gjasë cënon ligjin dhe interesin publik, ndërkohë që mijëra e mijëra dosje hallesh presin me vite në sirtarët e gjykatës në fjalë, kjo është diçka tejet turbulluese!”, shkruan Rama.
Postimi i plotë
Sikur Gjykata Administrative të kishte standard për çdo qytetar apo institucion në hall, shpejtësinë e skëterrës me të cilën paska vepruar sot për të hapur dyert e thesarit për rritjen e rrogave të veta pa miratimin e parlamentit, unë besoj se çdo shqiptar i punësuar do ishte gati t’ia falte një gjysëm rroge vrapuesve fluturakë të Gjykatës Administrative…
Por të marrësh sa hap e mbyll sytë masën e parë të sigurisë në historinë e botës, jo për të ndaluar po për të nxitur për interesin vetjak ekzekutimin e një akti që me gjasë cënon ligjin dhe interesin publik, ndërkohë që mijëra e mijëra dosje hallesh presin me vite në sirtarët e gjykatës në fjalë, kjo është diçka tejet turbulluese!
Ja edhe në tabelën bashkëngjitur çfarë kërkon Gjykata Administrative në dyert e thesarit të shtetit pa kaluar fare nga parlamenti, ndërkohë që e përsëris: Dyert e thesarit të shtetit i hap vetëm pushteti i pavarur legjislativ dhe Kuvendi i Shqipërisë do të bëjë detyrën e tij për këtë temë, në respekt të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ditën e enjte 17 shtator.
KOHA JONË SONDAZH


