Rama largoi me taktikë 3 ministrat që nuk i sillnin vota. Kush rrezikon tani?

Muajt e fundit tronditën kabinetin qeveritar. E para që u largua ishte Besa Shahini. E ardhur nga Kosova, ajo drejtoi Ministrinë e Arsimit pas Lindita Nikollës, dhe u largua si armike e studentëve dhe një brezi që nuk gjeti mirëkuptim tek figura e saj.

I dyti ishte Sandër Lleshaj. Ministri i Brendshëm u etiketua edhe si “ministri fatkeq”, që u dogj nga parimet e tij të larta, që sipas socialistëve dhe kryeministrit, u largua pasi nuk qëndronte dot më në krye të një ministrie, policia e të cilës, vrau padrejtësisht një qytetar. Pas largimit edhe Lleshaj mbrojti me fanatizëm veten, punën dhe partinë, por jo më me aq zell kryeministrin.

I treti Gent Cakaj. Në kulmin e debatit politik për Greqinë dhe zgjerimin me 12 milje, ministri i deleguar dha dorëheqjen për një post që nuk e ushtroi kurrë me të drejta të plota.

A do të ketë më ndryshime?

Kryeministri Edi Rama ka treguar se di të befasojë, por nëse i besojmë të njëjtës renditje dhe vlerësimit me nota që bëri gazetari Bollino, i radhës që mund të mos jetë më ministër është Arben Ahmetaj. Ai u largua në 2017 dhe u rimor si ministër për Rindërtimin, ndërsa fuqia e tij elektorale shihet si e dobët, pasi zona e tij, në kufi me Durrësin, ishte e vetmja ku PS-ja humbi vota në vitin 2017. A do e presë Rama “sebepin” edhe për të? /Dosja.al/

SHKARKO APP