Rama: Marrëveshja me SHBA-në hap drejt pavarësisë energjetike, TEC-i i Vlorës prodhon energji vetë

Në podcastin e tij javor “Flasim”, kryeministri Edi Rama ka folur për marrëveshjen e re të nënshkruar mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për furnizimin me gaz të lëngshëm natyror dhe zhvillimin e sektorit energjetik. Ai e ka cilësuar këtë marrëveshje si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të sigurisë dhe pavarësisë energjetike të vendit.

Sipas Ramës, Shqipëria do të sigurojë gaz natyror nga SHBA për një periudhë 20-vjeçare, çka do të krijojë një bazë të qëndrueshme për furnizimin me energji. Ai theksoi se përmes transformimit të TEC-it të Vlorës, i cili fillimisht ishte konceptuar për të funksionuar me naftë, tashmë do të mundësohet prodhimi i energjisë elektrike duke përdorur gazin si burim kryesor.

Kryeministri shtoi se ky projekt nuk lidhet vetëm me prodhimin e energjisë, por edhe me zgjerimin e kapaciteteve ekonomike të vendit. Sipas tij, rritja e furnizimit të qëndrueshëm me energji do të tërheqë investime të reja dhe do t’i japë Shqipërisë mundësi më të mëdha për të zhvilluar sektorë modernë, përfshirë qendrat e të dhënave dhe projektet e inteligjencës artificiale.

Swiss Digital Desktop Reklama

Rama theksoi gjithashtu se Vlora do të kthehet në një nyje të rëndësishme energjetike, jo vetëm për përdorim të brendshëm, por edhe për potencial eksporti të gazit. Në këtë kuadër, pjesë e marrëveshjes është edhe investimi për lidhjen e TEC-it të Vlorës me Fierin, ku ndodhet gazsjellësi Trans Adriatik (TAP), duke forcuar integrimin e Shqipërisë në rrjetin rajonal energjetik. Sipas tij, ky projekt përfaqëson një hap strategjik drejt diversifikimit dhe sovranitetit energjetik të vendit.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?