Rama mbyll takimin në Londër: Krenar për shqiptarët e Britanisë së Madhe, krenar për Shqipërinë!

Përfundon takimi i Kryeministrit, Edi Rama me komunitetin shqiptar të Mbretërisë së Bashkuar në sallën “The Cooper Box, Queen Elizabeth Olympic Parc.

Gjatë fjalës së tij, mes të tjerash Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Londra se shqiptarët e Britanisë së Madhe kanë përfituar nga ky vend më pak se sa ka përfituar ky vend nga ata.

Gjatë takimit me shqiptarët në Londër, Rama u shpreh gjithashtu se kjo nuk është retorikë por është një e vërtetë që vlen për të gjithë shqiptarët e Europës që sot janë krenaria kombëtare e një Shqipërie që më në fund ka nisur t’i bëjë edhe ata krenarë në sytë e Europës.

“Ju e bëni krenarë Shqipërinë me sukseset tuaja në art, shkencë, biznes këtu dhe kudo në botën e lirë. Realiteti i shqiptarëve të Britanisë është që punojnë në spital, në ndërtim, në bujqësi, biznese lokale të hapura nga ata vetë pas vitesh të tëra rropatje dhe kursime. Punojnë në universitete, shquhen në katedra akademike, shquhen në botën e artit dhe të modës”, tha Rama.

Si në qytete dhe në fshatra, Rama tha se shqiptarët janë kudo dhe meritojnë vetëm mirënjohje nga ky vend.

“Ne së bashku do të kërkojmë nga ky dhe nga çdo vend vetëm respekt për çdo shqiptar jashtë kufijve të Shqipërisë. Ju përballuat sfida të rënda, por sot jeni më të fortë se kurrë më parë. Edhe Shqipëria ka përballuar sfida të rënda por sot është përditë e më fortë se një ditë më parë. Ama sot ju shqiptarët e botës së lirë, tanimë shumica prej jush ka dalë në dritë dhe e ka lënë pas hijen e të kaluarës, së paragjykimeve dhe ndalimeve, e cila është vetëm një mësim historie, mund dhe duhet ti jepni Shqipërisë diçka më shumë”, tha Rama.

SHKARKO APP