Rama: Me katër aeroporte hyjmë në një epokë të re
Gjatë konferencës të zhvilluar paraditen e sotme me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, kryeministri Edi Rama është ndalur edhe te çështja e ndërtimit të aeroporteve të reja në vendin tonë.
Rama deklaroi se katër aeroportet e reja, i Vlorës i Tiranës, i Kukësit dhe i Sarandës do të sjellin një epokë të re në infrastrukturë, jo vetëm për Shqipërinë por edhe për Kosovën.
“Ne kemi besim që nëse Vlora do të jetë një sukses në aspektin e përfshirjen e një entiteti prestigjioz ndërkombëtar edhe Saranda nuk ka arsye për të mos qenë një sukses. Besoj se me këto katër aeroporte, Tirana, Kukësi, Vlora dhe Saranda, do të hyjmë në një epokë të re, qoftë në aspektin e infrastrukturës, qoftë në një kanal të ri ekonomik që hapim, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe Kosovën” tha kryeministri.
Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal edhe tek porti i Durrësit, duke thënë se shumë shpejt do të fillojë transferimi i tij. Sipas kryeministrit ky do të jetë investimi më i madh privat në histori, me një formulë bashkëpunimi me shtetin.
“Plani ynë është të spostojmë portin ekzistues, i cili është një infrastrukturë e dalë kohe, me standarde mjedisore shumë të ulëta. Faktikisht pengon hedhjen e një hapi në një epokë tjetër të Durrësit turistik. Shpresojmë të arrijmë një marrëveshje shtetërore për të sjell aty një investim, i cili do të jetë investimi më i madh privat në histori, me një formulë bashkëpunimi me shtetin. Ne do të fillojmë në javët në vijim procesin për spostimin, duke hedhur në një garë ndërkombëtare portin e ri të Durrësit, i cili do të zhvillohet në anën tjetër, aty ku është edhe plani për zonën e lirë ekonomike. Kemi shumë kërkesa. Po kështu do të bëjmë edhe me Vlorën” tha Rama.