Rama: Na pret dimër i vështirë. Do i drejtohemi Bruskelit për ndihmë financiare
Kryeministri Edi Rama paralajmëron dimër të vështirë sa i takon furnizimit me energji elektrike. Për këtë arsye, Rama tha se vendet e Ballkanit do t’i drejtohen me shkrim Brukselit për t’i dhënë mbështetje financiare për përballimin e krizës energjetike.
“Ky dimër ka gjasë të jetë dimri më i vështirë që kemi hasur. Ne kemi buxhetet tona shumë modeste. Do i drejtohemi me shkrim Brukselit dhe vendeve anëtare, të tre së bashku dhe me kënaqësi do të pranonim edhe firmën e 3 vendeve të tjera për ti kërkuar të njëjtën gjë për ne, një mbështetje financiare ekstra përveç mbështetjes sonë buxhetore. Parashikimet që kemi ndarë me presidentin e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe kolegët e tjerë janë marramendëse. Kemi përpara 7 muaj të tmerrshëm. Afro gjysmë miliardi euro për Shqipërinë që do të shkojë për mbajtjen e sistemit. Shpresoj që të jemi dhe ne pjesë e ndarjes së kësaj përgjegjësie.
Kemi firmosur marrëveshje të tjera. Jemi optimist. Ne duam të zgjerojmë investimet duke krijuar një agjenci të përbashkët investimi, agjencia e Ballkanit të Hapur për investimet e huaja”, tha Rama nga Beogradi ku mori pjesë në samitin e Ballkanit të Hapur.